Kosina në “100 fshtarat”, restaurohet për herë të parë kisha 500-vjeçare

Kosinë, Përmet – Një perlë e Trashëgimisë sonë Kulturore që i shpëtoi rrënimit falë programit tonë të shpëtimit të monumenteve

Kosinë, Përmet – Një perlë e Trashëgimisë sonë Kulturore që i shpëtoi rrënimit falë programit tonë të shpëtimit të monumenteve dhe që sot është epiqendra e projektit të zhvillimit të fshatit Kosinë, në kuadër të Programit Kombëtar 100FSHATRA☀

Posted by Edi Rama on E Diele, 24 Shkurt 2019

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Kisha 500-vjeçare “Fjetja e Shën Mërisë” në fshatin Kosinë të Përmetit, e dyta për nga vjetërsia në Ballkan, është restauruar tërësisht, duke rilindur vlerat e saj të rralla kulturore dhe arkitektonike.

Që nga viti ’80, ky është projekti i parë restaurues, i cili aplikohet në këtë kishë bizantine,  ndërtuar në vitin 1460.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që janë kryer për restaurimin e kësaj kishe. “Një perlë e trashëgimisë sonë kulturore që i shpëtoi rrënimit falë programit tonë të shpëtimit të monumenteve dhe që sot është epiqendra e projektit të zhvillimit të fshatit, në kuadër të Programit Kombëtar ‘100 fshatrat'”, tha Rama.

Deputetja e qarkut dhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se restaurimi i Kishës e bën fshatin Kosinë, një destinacion të rëndësishëm turistik.

“Është një nga kishat më të vjetra të shekullit të XII dhe me një arkitekturë shumë të veçantë. Falë bashkëpunimit shumë të mirë që kemi edhe me kishën Ortodokse, e kemi përfshirë këtë në itinerarin “Rrugët e besimit”. Kemi bërë dhe restaurimin e kishës. Ishte një merak shumë i madh i zonës në fakt, sepse ka filluar të frekuentohet edhe si një zonë agroturistike gjithmonë e më shumë. Ka qenë në gjendje të rrënuar. Kemi bërë edhe rikualifikimin rrotull”, tha ajo.

Ndërhyrjet restauruese konsistuan në studimin e qëndrueshmërisë statike të kishës, konsolidimin dhe përforcimin e gjithë strukturës mbajtëse, restaurimin e dyshemesë, çatisë, dritareve, pastrimin e bimësisë, si dhe konsolidimin e murit rrethues.

Drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani shpjegoi se “është një nga kishat më të bukura me kryq të brendashkruar”.

“Në investimin e fundit u konsoliduan të gjitha çarjet. Shumë nga muret u injektuan për t’i stabilizuar ato nga pikëpamja strukturore. Ndërkohë që faza tjetër do të vijojë me zbulimin e pikturave murale, pasi është një kishë tek e cila sondazhet kanë treguar që është e gjitha e mbushur me piktura murale. Ka disa shtresa suvaje të gjitha të pikturuara. Grupi i sektorit të artit ka bërë sondazhe dhe ka zbuluar faza të ndryshme të pikturave brenda Kishës. Edhe në pjesën e hapësirës kanë dalë pikturat murale që janë në gjendje më të mirë”, tha ajo./m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.