Transformimi i qendrës shëndetësore në Lunxhëri, përfitojnë rreth 5 mijë banorë të zonës

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/- Qendra shëndetësore Lunxhëri në Gjirokastër falë rehabilitimit të plotë, është transformuar tërësisht duke përmirësuar nga themelet shërbimin që ofron për rreth 4 800 banorë të zonës.

Kjo qendër është transformuar falë investimeve në kuadër të programit për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore në gjithë vendin deri në fund të këtij mandati qeverisës.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi dhe deputetja e PS-së Mirela Kumbaro, vizituan këtë qendër shëndetësore.

“Në Lunxhëri ku përmes Programit Kombëtar të Rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore, banorëve të zonës u është krijuar mundësia e mikpritjes dhe trajtimit dinjitoz në shërbimin parësor”, shprehet Rama.

Ministrja Manastirliu theksoi se “kjo qendër shëndetësore është pjesë e 6 qendrave që kemi rehabilituar në qarkun e Gjirokastrës dhe i shërben rreth 4 800 banorëve”

Sipas ministres, kushtet kanë qenë totalisht të degraduara dhe shumë të këqija.

Kryeministri Rama tha se “kushtet janë shumë të mira tani ka marrë formë tamam”.

Një infermiere thotë se banorët e zonës janë të rregullt në bërjen e check up, çdo vit vijnë në vitin e tyre”.

Ndërsa një mjeke shprehet se”tani çdo gjë është shumë mirë se më parë ishte e shkatërruar. Që në ’96 që është bërë si godinë nuk ka bërë asnjë asnjë investim. Punoj që në ’91 këtu, tani janë kushtet ideale”.

Një banore thotë se “më para ka qenë një shpellë, vinte i sëmuri dhe nuk shërohej, por sëmurej më shumë. Tani vërtet jemi sëmurë, por na shikon syri kushte më të mira dhe na bën të ndihemi edhe më mirë kur vijmë të vizitohemi”.

“Keni bërë gjithë këto ndryshime, faleminderit”, iu drejtua banorja kryeministri Rama./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.