Soreca viziton projektet e financuara nga BE në Korçë: Nxitje për turizmin

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/- Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca dhe ekipi i tij udhëtuan drejt qytetit të Korçës për të parë drejtpërdrejt dhe për të diskutuar se si projektet e financuara nga BE kanë ndikuar prekshëm në nxitjen e ofertës turistike të qytetit.

Bulevardi i ripërtërirë “Fan Noli” dhe lagja e Pazarit të Vjetër, të dyja financuar me fondet e BE-së, jo vetëm e kanë përmirësuar infrastrukturën e Korçës. Ato kanë krijuar, gjithashtu, mjedisin e duhur për lulëzimin e bizneseve të reja të mikpritjes, ndërkohë që nxisin ekonominë vendore dhe krijojnë punësim. 

Bashkimi Europian në Tiranë bën të ditur se “të dëgjoje një grup sipërmarrësish vendas ishte shumë e dobishme për të kuptuar sukseset e qytetit dhe sfidat e tij të ardhshme. Programi i ardhshëm i konkurrencës nga BE, në bashkëpunim me BERZH-in, me një total prej 40 milion Eurosh, do ta përfshijë Korçën dhe do ta forcojë më tej turizmin e qëndrueshëm, duke çuar në rritje ekonomike në rajonet shqiptare”.

Së bashku me kryetarin e bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo dhe Zëvendësministren e Brendshme, Romina Kuko, ekipi u ndal në mjediset e sapo rinovuara të bashkisë së qytetit, përfshirë edhe Këndin e BE-së, një mjedis i hapur që ofron shërbime për qytetarët./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.