FOTO/ Tituj të rinj për bibliotekën e shkollës në Vaun e Dejës

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ – Lëvizja Kombëtare për Lexim vazhdon misionin e saj për të pasuruar me libra dhe fëmijët në shkollat jashtë kryeqytetit, pasi dhe aty ka lexues të denjë për një të ardhme europiane të civilizuar.

Kjo lëvizje u ndal në bibliotekën e re të shkollës 9-vjeçare ”Aleksandër Paloci” në fshatin Shelqet, bashkia Vau-Dejës, të cilës iu shtua fondi i parë i librave dhuruar nga Ministria e Kulturës.  Gjithashtu kësaj biblioteke do ti shtohen dhe të tjerë libra gjatë vitit 2019.

Libri dhe leximi duhen kuptuar jo thjesht si tregues të zhvillimit kulturor të një vendi, por dhe si motor lëvizës i zhvillimit social dhe ekonomik të tij. Libri përgatit qytetarë më të informuar për të drejtat e detyrimet e tyre, më të motivuar e më të ndërgjegjësuar për të përballuar sfidat e zhvillimit shoqëror.

Këtë vit Lëvizja Kombëtare e iniciuar nga ministria e Kulturës ka marrë si model 12 shkolla periferike, bibliotekat e të cilave do t’i pajisë me libra dhe do të synojë trajnimin e mësuesve të këtyre shkollave për mënyrën se si të punojnë për të afruar nxënësit me librin. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.