Veliu takohet me përfaqësues të shoqatës IPA të Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, priti në një takim përfaqësues të shoqatës IPA, të Ballkanit Perëndimor.

Me mbështeten e Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në Tiranë do të mbahet një sesion i posaçëm, me qëllim paraprirjen e Kongresit të Dubrovnikut, ku IPA – SEKSIONI ALBANIA, do të pranohet si anëtare me të drejta të plota në këtë shoqatë.

Drejtor Veliu, theksoi se: “Ndihem i privilegjuar që ndodhem mes jush, mes përvojave dhe eksperiencave më të mira të drejtueseve të policive homologe ndër vite. Kufijtë janë imagjinarë dhe për Policinë e Shtetit, bashkëpunimi policor nuk njeh kufij.
Përfaqësuesit e IPA-s nga Serbia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Greqia, kanë vlerësuar mbështetjen nga ana e drejtorit Veliu.

Nebojsa Pantelic , Presidenti i IPA-Seksioni i Serbisë theksoi se: “IPA e Serbisë si mentor i seksionit të IPA Albania, do të ndihmojë miqtë e vet, të Shqipërisë, që të qëndrojnë dhe të bëhen anëtarë të familjes me të madhe policore IPA, ku në përbërje të saj janë 67 vende. Në kongresin e Dubrovnikut, Shqipëria do të bëhet anëtarja e 68-të e IPA-s. Dua të vlerësoj në mënyre të veçante Skënder Dodën, i cili kapi shansin e fundit për anëtarësimin e Seksionit të Shqipërisë, në IPA-n ndërkombëtare.
Ritheksoj se pa kontributin e Ministrit Lleshaj dhe të Drejtorit Veliu, që dërguan letër mbështetëse për IPA Albania, ky takim dhe eventi ditën e nesërme nuk do të ishin bërë të mundura”.

Skënder Doda president i IPA-s Seksioni Albania, ka falënderuar përfaqësuesit e IPA-s dhe Drejtorin e Përgjithshëm për mbështetjen, për promovimin dhe njohjen e IPA – Albania.

/e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.