Rama: Besojmë tek bashkëqeverisja me njerëzit

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/- Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “kjo është qeveria që beson tek dëgjimi i njerëzve dhe tek bashkëqeverisja me njerëzit”.

Në takimin me banorët e Gjirokastrës, në vijim të turit kombëtar “Bashkia që duam”, Kryeministri Rama theksoi se “ne gjatë kësaj periudhe kohore përpara fundit të vitit të shkuar dhe në fillim të këtij viti kemi parë dy protesta. Protesta e studentëve, që mori vëmendjen e të gjithë opinionit publik, që kishte gjithë mbështetjen e popullit shqiptar dhe që nga sekonda e parë kishte mbështetjen dhe gjithë vëmendjen tonë”.

“Një protestë prej të cilës ne nxorëm mësimet, detyrat tona dhe falë të cilës sot të gjithë studentët pavarësisht se prindërit e tyre janë socialistë apo demokratë paguajnë vetëm 50% të tarifës së universitetit dhe ata me 9 e 10, apo ata me ndihmë ekonomike apo ata me disa probleme të natyrës shëndetësore ose sociale të veçanta nuk paguajnë asgjë të gjitha i paguan qeveria dhe plus iu jep edhe 100 mijë lekë bursë”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “kjo është qeveria që nuk i thotë plaç atyre që protestojnë për të drejtat e tyre dhe jo më pastaj t’i japë plumbin ballit”.

Ndërkohë, shtoi Rama, që kemi parë një protestë tjetër të atyre që populli i largoi 5 vjet e gjysmë më parë ekzaktësisht për ato arsye që ata sot thonë se po protestojnë. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.