Interes i jashtëzakonshëm i bizneseve të hotelerisë për Shqipërinë

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ – Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi përfaqësoi Shqipërinë dhe paketën gjithëvjetore turistike të saj, në një nga konferencat më të rëndësishme të zhvilluara në Beograd, në datat 20-21 shkurt me përfaqësues të emrave të njohur të hotelerisë së rajon.
Shkëmbimi i përvojave, ideve të reja në fushën e turizmit, përthithja e investimeve nga marka të njohura, por edhe realizimi i një pakete të përbashkët turistike në rajon ishin disa nga qëllimet e konferencës ndërkombëtare të hotelerisë dhe investimeve “Adria Hotel Forum”, që zhvillohet për të shtatin vit radhazi.
”Ndihem shumë mirë që Shqipëria është në të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me rajonin në kuadër të investimeve. Konferenca e sotme është e orientuar 100% drejt investimeve të hotelerisë në rajonin tonë dhe Shqipëria zë realisht një vend të merituar dhe ajo që ndiej me shumë kënaqësi është rritja në mënyrë të plotë të interesit të të gjithë emrave të njohur në rajon dhe po ashtu barazia që Shqipëria tashmë në mos ka më shumë interes se disa vende të tjera të rajonit për investime të drejtpërdrejta në fushën e hotelerisë”, tha Klosi.
“Jemi në fazën që duhet të negociojmë hapësirën  që ne kemi dhe mundësitë që ofrojmë dhe për të qenë të kujdesshëm edhe në investimet edhe në emrat që po afrohen në Shqipëri. Jemi pjesë e një rrjeti turizmi në rajon, europian por që kemi problematikat tona për të cilat edhe në konferencë u fol në kuadër të gjithë zhvilimit rajonal se çfarë rajoni duhet të bëjë si një i tërë për tu ofruar në destinacion turistik”, tha ministri Klosi.
Ai theksoi se Shqipëria ka asete të mrekullueshme sa i takon investimeve në hoteleri, por ka ende emra të njohur me të cilat vendi ynë po negocion që të mbërrijnë në Shqipëri.
“Interesi shumë i madh është edhe për zonat tradicionale të bukurisë natyrore të vendit tonë si në Alpe apo në zonën e Korcës”, u shpreh ministri Klosi. /a.a/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.