TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ – Edhe pse deputetë të partive opozitare kanë vendosur që të largohen nga jeta parlamentare duke dorëzuar mandatet e tyre, ky fakt nuk do të pengojë ecurinë e punimeve në Kuvendin e Shqipërisë.
Një fakt i tillë u konfirmua nga deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati gjatë një interviste televizive e cila theksoi se pas dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, KQZ do të fillojë plotësimin e vakancave, ku kandidatët më pas do të verifikohen nga Komisioni i Mandateve nëse plotësojnë kriteret.
“Parlamenti do të vijojë punën normalisht, por ne nuk do të marrim dot vendimet me shumicë të cilësuar, të cilat nuk i kemi marrë edhe më parë kur ka qenë opozita, për shkak të bojkotit që ata i kanë bërë Parlamentit. KQZ do të duhet të fillojë të gjitha procedurat për plotësimin e vakancave dhe të plotësojë kriteret e gjinisë, renditjen në lista dhe në momentin që Kuvendi do të fillojë plotësimin e vakancave do të njoftohet dhe Komisioni i Mandateve, i cili do të fillojë verifikimin e kandidatëve nëse plotësojnë kriteret”, – u shpreh Ferhati.
E pyetur se çfarë do të ndodhë nëse listat e partive politike do të përfundojnë, deputetja Ferhati bëri me dije se në funksion do të vendosen mandatet detyruese, të cilat sipas saj janë të rrezikshme për demokracinë në vend.
“Nuk është një situatë e pëlqyeshme, por është një situatë që nuk i jep shëndet vendit. Tashmë vendimi është marrë që letrat e dorëheqjes janë nënshkruar, unë jam më shumë e shqetësuar për precedentin që po krijohet. Neni 70 i Kushtetutës është shumë i qartë, pavarësisht se mua më kanë zgjedhur, unë jam betuar në emër të popullit dhe duhet të ndjek politikën e grupit që më drejton. Deputeti nuk është i lirë të vendosë për interesin e gjithë kombit, sepse lënia e mandatit bie ndesh me parimet e drejtësisë. Çdo opozitë në çdo kohë, në kushte të tilla në shkelje të parimeve të demokracisë mund të manipulojë opinionin publik duke thënë 1001 të pavërteta. Mandati detyrues është i rrezikshëm për demokracinë. Mandati detyrues është i rrezikshëm për demokracinë. Edhe pse zgjedhjet certifikohen nga ndërkombëtarët ato pranohen nga aktorët politikë. Akti i djegieve të mandateve minon demokracinë. Pushteti merret me rotacion politik me anë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, – vijoi deputetja.
Djegia e mandateve sipas Ferhatit është një strategji e gabuar e opozitës, e cila sipas saj la rrugës një sërë reformash mjaft të rëndësishme, sikurse është edhe Reforma Zgjedhore e kërkuar nga vetë partitë opozitare.
“Ka reforma të cilat nuk merren vetëm nga mazhoranca. Reforma Zgjedhore e cila u propozua nga opozita u la në mes nga veta ata, ishin shumë çështje të cilat ishin në Komisionin e Reformës Zgjedhore që nuk u përdorën nga opozita. Kjo na bën të besojmë se është në vrazhdën e një politike të gabuar të ndjekur nga opozita, pasi përveç precedentit që i ndodh demokracisë së vendit, ndodh edhe një fenomen tjetër, siç janë reformat integruese të cilat duhet të jenë mbi interesat partiake. Në demokraci mekanizmat e marrjes së pushtetit janë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, – theksoi ajo.
/e.caushi/
