Delegacioni parlamentar çek në PD, Bardhi: Djegia e mandateve, në mbrojtje të demokracisë

TIRANË, 22 shkurt ATSH/ – Djegia e mandateve e vetmja rrugë që i kishte mbetur opozitës për demokracinë europiane.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi i shoqëruar nga kryetari i FRPD, Belind Këlliçi dhe n/kryetari i FRPD Lisandër Hoxha, zhvilluan një takim pune me delegacionin e Parlamentit të Republikës Çeke, kryesuar nga kryetari i Komisionit për punët e Jashtme, Ondřej Benešík.

Zyrtarët e lartë të PD-së, informuan delegacionin çek mbi situatën politike në Shqipëri dhe sqaruan parlamentarët e vendit anëtar të BE, se “djegia e mandateve ishte e vetmja rrugë që i kishte mbetur opozitës, përballë qeverisë së ardhur në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dhe mundësia e vetme për të mbrojtur demokracinë e vlerave europiane”.

Delegacioni çek, sipas njoftimit të PD-së, “u informua edhe për të gjitha skandalet e qeverisë Rama, sidomos për rastet e identifikuara dhe të provuara nga hetime zyrtare per blerjen masive të votës nga elementë të krimit të organizuar për llogari të Partisë Socialiste në pushtet”.

Zyrtarët e Partisë Demokratike rikonfirmuan bindjen se rruga e vetme e Shqipërisë është përshpejtimi i rrugëtimit europian të vendit, dhe se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si kriter për hapjen e negociatave, janë qëllimi kryesor që ka detyruar opozitën të ndërmarrë aktin e djegies së madateve.

“Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk mund të ketë demokraci funksionale në Shqipëri dhe nuk mund të ketë hapje të negociatave me BE”, u shpreh Bardhi.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.