Punësohen 54 mjekë në qendrat shëndetësore, Manastirliu: Prioritet, aksesi në shërbime afër vendbanimit

TIRANE, 20 shkurt/ATSH/ – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, priti 54 mjekët e rinj që do të punësohen, duke filluar nga sot, në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor në të gjithë vendin.

“Ju siguroj se kushtet e punës që do të gjeni sot në qendrat shëndetësore janë shumë më të përmirësuara dhe më vjen mirë që ndër ju, shumë kanë zgjedhur të punojnë në qendra shëndetësore të largëta”, tha Manastirliu.

54 mjekët e rinj të familjes janë fitues nga konkursi i shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, për mjekë të përgjithshëm në kujdesin shëndetësor parësor.

Nga Kukësi në Sarandë, mjekët e rinj që punësohen sot, plotësojnë një pjesë të mirë të nevojave edhe në qendra shëndetësore të zonave të thella, si, qendra shëndetësore Grykë Caje në Kukës, Fushë-Cidhen në Dibër, Zharrëz në Fier, Pishaj në Gramsh, Poliçan në Skrapar, e në shumë struktura të tjera të parësorit, për të shërbyer afër komunitetit, aty ku janë nevojat.

Ministrja Manastirliu garantoi se mjekët do të mbështeten edhe me rritjen e pagave.

“Duke filluar nga muaji prill, nis rritja e re e pagave 7% për të gjithë punonjësit e shëndetësisë”, tha Manastirliu.

103 mjekë aplikuan pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe po vijon procesi i punësimit edhe me mjekët e qendrave shëndetësore në Tiranë.

Sa i takon spitaleve, brenda muajit shkurt përfundojnë specializimet 300 mjekët e parë specialistë (pas një bllokimi 4-vjeçar), të cilët do t’i shtohen shërbimit spitalor në të gjithë vendin. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.