Djegia e mandateve, Balla: Përpjekja e radhës për të penguar ngritjen e SPAK dhe BKH

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ “Bojkoti i radhës i PD-së dhe LSI-së, i maskuar si djegie mandatesh, është përpjekja e radhës për të bllokuar fazën finale të reformës, pikërisht ngritjen e SPAK-ut dhe BKH-së”.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një takim me strukturat e koordinimit elektoral të Partisë Socialiste në Elbasan për punën që duhet bërë në funksion të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Balla tha se “tashmë kemi hyrë në fazën përgatitore të fushatës zgjedhore”.

“Zgjedhjet vendore do të zhvillohen më 30 qershor 2019. Konkurrenti ynë në këto zgjedhje si gjithmonë është organizimi ynë elektoral. Sa më të organizuar ne, aq më i mirë rezultati.
Diferenca jonë me kundërshtarët politikë është e madhe. Ne kemi lidership, ekip dhe program. Ata asnjërën prej tyre. Shqiptarët në 2017 na dhanë një mandat për të çuar përpara Drejtësinë e Re”, tha Balla.

Sipas tij, “nuk është rastësi që të enjten ne votojmë në seancë plenare strukturat e KLGJ-së dhe KLP-së”. /j.p/

“Ja pse PD dhe LSI janë dhe po sulmojnë me dhunë institucionet”, tha Balla, duke shtuar se “krizat artificiale politike nuk mund të përdoren për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi”.

Balla tha se “është e rëndësishme të bëhet e qartë për liderat e opozitës që nëse ata vazhdojnë të përbuzin parlamentin dhe mjetet demokratike, e vetmja gjë që do të arrijnë është distancimin e mëtejshëm të elektoratit prej tyre”.

Balla e cilësoi këtë sjellje të papranueshme nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët sipas tij, “nuk mbështesin as metodat e dhunshme dhe as këtë lloj retorike”.

“Debati politik duhet të ndodhë brenda institucioneve shtetërore, pikë së pari brenda Parlamentit. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë. Shqipëria e meriton hapjen e negociatave me BE-në”, shtoi Balla. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.