Balluku: Energjia nga fotovoltaikët, një ndër nismat që po mbështetet dhe nxitet nga qeveria


TIRANË, 19 shkurt /ATSH/- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE), Belinda Balluku shprehu sot angazhimin e dikasterit që ajo drejton dhe të ekspertëve të linjës, për hartimin e një udhëzimi sa më eficent dhe konform standardeve më të mira, që i vjen në krah zbatimit të ligjit për burimet e rinovueshme të energjisë në vendin tonë.

Gjatë diskutimit sot në Tiranë, me aktorët përkatës të këtij tregu, Balluku theksoi “energjia nga fotovoltaikët është një ndër nismat që po mbështetet dhe nxitet nga qeveria çka sigurisht do të pasojë edhe me miratimin e akteve të nevojshme ligjore që e rregullojnë atë”.

Balluku nënvizoi faktin se mbi të gjitha politikat synojmë mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetjen e investitorëve në sektorin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri, si një industri e re që po zhvillohet vitet e fundit në vendin tonë.

Gjergj Simaku ekspert i energjetikës tha se, “implementimi i një politike të re në fushën e energjetikës, po merr kohën e vet, pasi ka të bëj mbi të gjitha me një ndryshim total, në mentalitetin e konsumatorit. Kjo është hera e parë që një konsumator sillet si prodhues dhe ne po shkojmë tek një risi për ligjin shqiptar dhe po tregojmë se nuk jemi të orientuar vetëm tek energjitë klasike hidro, por kemi filluar në masë diversifikimin”.

Diskutimet që u parashtruan sot në këtë tryezë teknike me institucionet e fushës së energjisë, lidhen çështje të teknologjisë së fotovoltaikëve për vetëkonsum dhe reflektimin e tyre për zgjidhje në përgatitjen e udhëzimit përkatës.

Bizneset që operojnë në sektorin e energjive të rinovueshme, fotovoltaike i kanë kërkuar MIE të miratojë një udhëzim që do të zgjidhte problemin që haset sot për hedhjen e tepricave të energjisë së prodhuar nga impiantet fotovoltaikë nën 500 kwp në rrjet.

Sipas tyre nëse një biznes instalon për autokonsum një impiant me një kapacitet të caktuar duhet të jetë i kujdesshëm me menaxhimin. Nëse prodhon më shumë sesa konsumon teprica në rrjet nuk i njihet madje mund ti faturohet edhe si konsum.

Ministrja Balluku bëri të ditur se në platformën e bashkëqeverisjes shumë shpejt do të ketë një debat të hapur me grupet e interesit për problemin e ngritur në këtë takim. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.