Zariq: Serbia e angazhuar ndaj dialogut me Prishtinën të drejtuar nga BE

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ – “Prioriteti ynë mbetet ruajtja e interesave të Serbisë lidhur me Kosovën dhe ne nuk do të heqim dorë nga angazhimi për dialog, me qëllim që të arrijmë zgjidhje të plotë, afatgjatë dhe të qëndrueshme. Theksoj se mbetemi të angazhuar ndaj parimeve të ligjit ndërkombëtar”.

Kështu u shpreh sot në Ditën Kombëtare të Serbisë, ambasadori serb Mirolub Zariq, duke theksuar se Serbia është e angazhuar ndaj dialogut me Prishtinën të drejtuar nga BE.

“Viti i kaluar u dallua nga një aktivitet diplomatik intensiv i Serbisë në planin bilateral dhe shumëpalësh, me një numër të madh takimesh në nivelin më të lartë dhe bashkëpunuese me shumë vende, përfshirë Federatën Ruse, Kinën, SHBA-në, Francën dhe shumë vende të tjera. Serbia është e angazhuar ndaj dialogut me Prishtinën të drejtuar nga BE dhe zbatimit të ujdive pasuese të marrëveshjes së Brukselit të Prillit 2013. Por, që dialogu të vazhdojë, është e nevojshme që Prishtina të anulojë taksën 100% mbi mallrat që vijnë nga Serbia. Hyrja në BE është prioriteti i politikës së jashtme. Është detyra jonë të gjejmë përkrahje  nga institucionet dhe vendet anëtare të BE-së për procesin e negociatave të Serbisë, jo i lehtë përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme të BE-së dhe rënies së interesit për zgjerimin e BE-së. Nuk jemi të kënaqur që vjet u hapën vetëm katër kapituj, ndërsa Serbia është e gatshme të hapë më shumë”, theksoi ambasadori serb.

Ambasadori serb në Tiranë, Zariq në fjalën e tij, u ndal edhe te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat sipas tij në 4 vite kanë bërë një progres mjaft të madh.

“Lidhur me marrëdhëniet Serbi-Shqipëri, them me kënaqësi se gjatë 4 viteve të kaluara është bërë progres i madh. Vizitat e ndërsjellëta të të dy kryeministrave në 2014/2015 shënuan një kontribut vendimtar për promovimin e dialogut bilateral dhe marrëdhënieve dypalëshe, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe identifikimin e prioriteteve dypalëshe, veçanërisht në kuadër të procesit të Berlinit, si dhe duke u fokusuar në fushat prioritare me interes të përbashkët. Tregtia në total mes Serbisë dhe Shqipërisë në 2018 ishte 181 milionë euro, ose 13% më shumë se në 2017-ën. Eksportet drejt Shqipërisë llogariten në 135.7 milionë euro, ose 9,1% më shumë se në 2017. Importet nga Shqipëria u rritën me 26,1% krahasuar me 2017, ose 45.7 milionë euro. Në 2017, 915 biznese operonin me Shqipërinë. Krijimi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Serbi-Shqipëri me qendër në Tiranë në tetor 2016 dha një impuls për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve. Në fushën e bashkëpunimit ekonomik, ka një potencial të pashfrytëzuar në shumë fusha, që nga bujqësia, te turizmi”, vijoi ai.

Lidhur me politikën e sigurisë, Zariq theksoi se: “Serbia drejtohet nga neutraliteti ushtarak dhe kontributi ndaj përgjegjësisë së përbashkët në përballimin e sfidave të sigurisë. Angazhimi i Serbisë ndaj politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së është riafirmuar nga gatishmëria jonë për të kontribuar në politikën europiane në këtë fushë, nga pjesëmarrja në misionet e OKB-së dhe BE-së. Për Serbinë, marrëdhëniet me NATO-n në kuadër të programit Partneritet për Paqe janë pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme dhe sigurisë”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.