Koncesionet, Denaj: Rritet roli monitorues i Ministrisë së Financave

TIRANË, 18 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Nga viti 2004-2013 janë dhënë rreth 385.5 miliardë lekë për kontratat e koncesioneve, ndërsa nga viti 2014 në vitin 2019 janë dhënë vetëm 421 milionë lekë.

Kështu deklaroi sot, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, gjatë raportimit në komisionin e Ekonomisë lidhur me disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për koncesionet dhe PPP-të.

Duke iu referuar numrit total të koncesioneve, Denaj tha se janë dhënë 544 miliardë lekë për 218 kontrata, dhe pjesa më e madhe në numër përpara vitit 2013.

“Kjo vlerë është analizuar nga Ministria e Financave. Nëse nga 2004-2013 kemi 176 kontrata aktive, nga 2014-2019 kemi vetëm 52 kontrata aktive në numër. Ndërsa në vlerë monetare nga 2004-2013 janë 385.5 miliardë dhe nga 2014-2019 janë dhënë 421 milionë lekë”, tha Denaj.

Ndërkohë, Denaj theksoi se projektligji i ri sjell përmirësime të dukshme nga ana ligjore. “Kjo paralelisht shkon me rritje të vlerësimit dhe monitorimit dhe ky projektligj i sjell të dyja këto në balancë”, tha Denaj.

Ndërkombëtarët, sipas Denaj, kanë kërkuar përmirësimin e monitorimit dhe roli i Ministrisë së Financave me këtë projektligj të ri është dukshëm i përmirësuar në raport me rritjen e monitorimit.

Ne, tha Denaj, nuk marrim kompetencat e asnjë ministrie por marrim një rol të shtuar monitorimi për të ruajtur një balancë mes aspektit fiskal dhe atij buxhetor. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.