“Apolonia” – “Vllaznia”, finalja e madhe e futbollit për femra

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ – Janë zhvilluar ditën e sotme ndeshjet gjysmëfinale për Kupën e Shqipërisë në futbollin e femrave, me “Vllazninë” dhe “Apoloninë” që do të diskutojnë ndërmjet tyre finalen e madhe për të siguruar trofeun.

Në Qendrën Sportive Kamëz u zhvillua ndeshja gjysmë finale ndërmjet Kinostudios dhe Vllaznisë, me këta të fundit që arritën të sigurojnë lehtësisht kalimin për në finale me fitoren e thellë 5-0. Shkodranët kanë dominuar plotësisht ndeshjen duke shënuar dy gola në pjesën e parë, me Djegsinën në minutën e 15-të dhe Popovic në minutën e 22. Pjesa e dytë ka vazhduar nën dominimin e kuqebluve që kanë shënuar edhe tre herë të tjera me Gjinin, Franjan dhe Doçin në minutat 68, 71 dhe 77.

Ndeshja tjetër gjysmë finale u zhvillua në Fier, në kompleksin sportiv “Apolonia” ku ishin përballë “Apolonia” – “Tirana AS”. Fieraket kanë arritur në finale duke munduar kryeqytetaset me rezultatin e ngushtë 2-1. Pjesa e parë ka dhuruar tre golat e ndeshjes, me “Apoloninë” që ka kaluar në avantazh në minutën e 17-të. “Tirana AS” reagon dhe në minutën e 34-të ka barazuar rezultatin me anë të një penalltie të shënuar nga Mena. Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, Mena ka shënuar golin e avantazhit për bardhejeshilet. Në pjesën e dytë u zhvillua një lojë shumë e luftuar, me “Tiranën” që kërkonte golin e barazimit dhe “Apoloninë” golin e sigurisë, por rezultati nuk ndryshoi deri në fund. “Apolonia” shkon në finale ndërkohë që rrugëtimi i “Tirana AS” në Kupën e Shqipërisë mbyllet në gjysëmfinale.

Ndeshja finale “Apolonia” – “Vllaznia” do të zhvillohet në mesjavë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.