19 personat e lënduar në protestë, në gjendje të mirë shëndetësore

TIRANË, 16 shkurt/ATSH/- Nëntë punonjës të forcave të rendit, dy përfaqësues të medias dhe 8 protestues kanë marrë në kohë ndihmën mjekësore, fillimisht nga ekipet e terrenit të Urgjencës Kombëtare Mjekësore dhe me pas janë dërguar për mjekim të mëtejshëm në  spitalet universitare të Tiranes.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se pasi kanë marrë trajtimin mjekësorë, aktualisht 19 personat e lënduar gjatë protestës së sotme, kanë lënë spitalin dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka falënderuar ekipet e urgjencës mjekësore për profesionalizmin dhe gatishmërinë e tyre të treguar ditën e sotme.

“Një falënderim për të gjithë ekipet e urgjencës mjekësore paraspitalore si dhe stafeve të urgjencave të dy spitaleve universitare, për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar sot”, – thotë Manastirliu.

z.t/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.