Rama në Vlorë: Kushte dinjitoze në të gjitha konviktet e vendit

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ – “Do të ndërhyjmë në të gjitha konviktet e Shqipërisë për të garantuar kushte dinjitoze dhe për të bërë të mundur që gjithë ajo problematikë në konvikte të adresohet njëherë e mirë dhe të kalojmë në fazë tjetër”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.

“Kemi filluar një punë intensive për rindërtimin dhe pajisjen të konvikteve sa më mirë do të vazhdojmë”, tha Rama.

Për sa i përket Fakultetit të Infermierisë, vijoi Rama është një nga nevojat që Universiteti i Vlorës duhet të përfundojë procesi i administrimit dhe listimit të të gjitha nevojave, projekteve përkatëse dhe pastaj vjen pjesa e financimit.

Kryeministri Rama tha gjithashtu se “kemi hapur një proces mbledhje të gjithë informacioneve lidhur me nevojat qoftë në aspektin e infrastrukturës dhe atë të logjistikës, si dhe kemi ndërtuar disa marrëdhënie partneriteti mes ministrive dhe universiteteve sipas fushave”.

“Janë ngritur grupe pune dhe jo vetëm do të sigurojmë mbledhjen e të gjitha të dhënave për të gjitha nevojat, por do të mundësojmë edhe realizimin e projekteve përkatëse”, nënvizoi Rama duke shtuar se për të financuar një proces si ky na duhen projekte dhe një program i mirëfilltë.

Kreu i qeverisë u shpreh se “deri në vjeshtë ne do të mund të kemi këtë program në dispozicion dhe pastaj të fillojmë procedurat për të bërë thirrje të hapura për ofertues të ndryshëm që të nisim nga puna konkrete në fillim të vitit të ardhshëm”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.