Pushteti nuk merret me dhunë. Opozita duhet të mbajë përgjegjësi për protestën

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni gjatë një interviste televizive theksoi se partitë opozitare të cilat janë edhe organizatoret e protestës së paralajmëruar të 16 shkurtit, duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë që ky tubim të mos degradojë në akte dhune.

Sipas deputetes së PS, Gjermeni bëri me dije se pushteti nuk merret me anë të dhunë dhe shantazhit.

“Ne kemi një protestë politike e cila realizohet nga partitë e opozitës, kryesisht e cilësoj, për pushtet. Flasim për një qeveri që ka ardhur në bazë të votës së qytetarëve. Ne kemi marrë votën e qytetarëve dhe kemi përgjegjësinë, si dhe mandatin për ta drejtuar vendin për katër vite. Pushteti nuk merret as duke krijuar kaos, as duke krijuar shantazh. Që të realizohen zgjedhjet, duket të realizohet Reforma Zgjedhore dhe opozita duhet të vijë dhe të diskutoj për këtë proces. Opozita nuk është e interesuar as për qetësinë, as për stabilitetin, dhe as për integrimin Europian të vendit. Jemi në pritje të një përgjigjeje pozitive për në BE, nga e cila përfitojnë qytetarët shqiptarë”, – theksoi Gjermeni.

Në fjalën e saj Gjermeni foli edhe për incidentin e ditës së enjte në Kuvend, duke theksuar se nga ana e opozitës është përdorur gjuha e dhunshme, që sipas saj është një model negativ për shoqërinë.

“Edhe në seancat e Parlamentit është përdorur gjuha e dhunshme dhe akti i djeshëm ishte i turpshëm. Në një seancë solemne, ku të gjithë kishim rënë dakord për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, ndodhi një akt i turpshëm. Njerëzit ndihen të papërfaqësuar nga gjuha e përdorur në Kuvend dhe që ndikon në shoqëri. Fakti që bëjmë të tilla sjellje tregon se opozita nuk jep alternativë tjetër, nuk ka ide dhe kalon në sjellje të cilat janë në shkelje me rregulloren”, – vijoi ajo.

Deputetja foli edhe për masat parapërgatitore të Policisë së Shtetit për protestën që do të zhvillohet ditën e shtunë, duke theksuar se e gjithë policia dhe institucionet përgjegjëse do të jenë për të garantuar qetësinë, që protesta të zhvillohet në mënyrë demokratike.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.