Balla thirrje qytetarëve: Mos u bëni robotë të liderëve të skaduar të opozitës

TIRANË, 15 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/ – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që duan të marrin pjesë në protestën e 16 shkurtit të mos ndërmarrin akte të dhunshme, pasi dhuna dënohet sipas ligjit.

“Unë i bëj thirrje çdo qytetari të mos bjerë pre e urdhërave qorre apo një lideri të skaduar të PD apo LSI, dhe të bëhet një robot nën urdhrat e tyre për të dëmtuar një pllakë, apo një xham, apo një derë, apo pronë të përbashkët. Të protestosh është një e drejtë, por të dëmtosh pronën publike apo private, dënohesh sipas ligjit”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së kujtoi dhe dëmtimin e strehës te Kryeministria gjatë një proteste të opozitës. “Nisur nga një prej protestave të opozitës, ajo e 8 dhjetorit para dy-tre viteve, kur në mënyrë vandale u dëmtua streha që është një vepër arti e një artisti me famë botërore, është marrë kjo masë paraprake, që Edi Paloka në vend të bojës mund të godasë me gurë apo sende më të forta këtë vepër arti, që ka dhe kosto për t’u rregulluar, prandaj dhe Kryeministria mori një masë paraprake për ta ruajtur, një veprim shumë i mirë në gjykimin tim”, tha Balla.

Lidhur me thirrjet e bëra nga opozita, Balla tha: “Së pari, duhet të themi që të flasësh në emër të popullit është shumë e madhe. Demokracia dhe ata që kanë vendosur parimet e demokracisë flasin në ato që kanë mbështetjen e popullit. Opozita nuk e ka këtë luks të ketë pas saj shumicën e popullit dhe nuk mund të flasë në emër të popullit, pasi vetëm para pak muajsh u votua dhe u vlerësua në pakicë. Opozita është në hall të madh dhe hallexhiu më i madh është Lulzim Basha, pasi partia e tij ka degraduar totalisht si në emra, ashtu dhe në vlera”.

“Është një parti që s’ka bërë asnjë përpjekje për të organizuar strukturat, dhe po vij këtu pas takimeve me një pjesë të strukturave të qarkut të Elbasanit, ku ka nisur puna me strukturat e PS atje. Opozita se ka mendjen të organizohet për zgjedhje, po merret me protesta”, tha Balla.

“Demokratët e thjeshtë nuk mendojnë se lidershipi i Bashës do t’i sjellë në pushtet  Ajo që ndodhi në Kuvend dje është tregues i këtij halli të madh të opozitës. Protesta e studentëve ishte madhështore dhe treguese se falë kësaj proteste për herë të parë në 28 vite kemi ulje të tarifave, kemi një vlerësim të atyre që kanë rezultatet të mira dhe për shkak të këtij indeksimi të notave, do të kemi dhe rritje të performancës. Kur bëhet fjalë për protestë të vërtetë, ne reflektuam. Nesër protesta është e Monikës dhe Lulit, jo e popullit. Populli s’ka nevojë ta thërrasin politikanët për protesta”, tha Balla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.