Xhafaj: Një turp kjo që ndodhi sot në Kuvend

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ – Deputeti Fatmir Xhafaj e cilëson të turpshme ngjarjen e ndodhur sot në sallën e seancave ku Edi Paloka i hodhi bojë Kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit i kërkoi ndjesë Talat Xhaferit për shkeljen e kodit të mikpritjes nga opozita.
Deputeti Xhafaj nënvizon se një akt i tillë fyen të gjithë, por që turpëron rëndë frymëzuesit, nxitësit e zbatuesit e kësaj shfaqje të turpshme për Kuvendin dhe imazhin e vendit.
“Një TURP kjo që ndodhi sot në Kuvend. Një akt që na fyen të gjithëve, por që turpëron rëndë frymëzuesit, nxitësit e zbatuesit e kësaj shfaqje të turpshme për Kuvendin dhe imazhin e vendit. Bërë kjo, në prani të mysafirit të nderuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të nderuar momentin historik të anëtarësimit në NATO të fqinjit lindor, i bën nxitësit e ekzekutuesit e aktit, me TURP para gjithë shqiptarëve. Këtej e andej kufirit”, shkruan Xhafaj.
Deputeti socialist shkruan se kjo është fytyra e vërtetë e një pjese të politikës shqiptare, ndërsa thekson se ky nuk është modeli i deputetit që meritojnë shqiptarët.
“Kjo është fytyra e vërtetë e një pjese të politikës shqiptare. Ky NUK është modeli i deputetit që meritojnë shqiptarët! Ndjesë mikut e kolegut Talat Xhaferri. Shqiptarët në shekuj kanë respektuar mikun, fqinjin, e më shumë akoma vëllain e tyre të gjakut. Urime fqinjëve tanë për anëtarësimin në NATO. Urime fqinjëve tanë të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në NATO!”, shprehet më tej Xhafaj.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.