Rama: E ardhmja e shqiptarëve s’mund të jetë peng i etjeve për pushtet

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ – “Çështja e hapjes së negociatave është çështja e fitores brenda dy-tre shteteve midis atyre që janë kundër hapjes dhe kundër zgjerimit dhe bëjnë mishmash zgjerimin me negociatat”.

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive duke theksuar se ajo çfarë duhet bërë është që të merret rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

“Në momentin kur Komisioni Europian thotë qartë, të hapen negociatat pa kushte, Shqipëria i ka bërë detyrat e veta, Komisioni Europian nuk është se bën të gjithë ndjekjen e detyrave. Pastaj kur shkon te disa deputetë atje dhe disa deputetë atje, deputetët janë si deputetët këtu. Ca kanë interesa këtu, ca kanë interesa andej. Ajo që ne duhet të bëjmë është që ne të marrim prapë rekomandimin pozitiv pa kushte të komisionit, se çfarë do bëjnë këta atje do të varet nga konteksti i brendshëm, në raport me atë çfarë kanë brenda. Edhe sikur, kurrë të mos hapen negociata dhe kurrë të mos bëhet anëtarësimi, ajo që ne duhet të bëjmë është pikërisht kjo që po bëjmë, rruga e integrimit është rrugë për fëmijët tanë, është rrugë modernizimi”, – përfundoi Rama.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.