Otava mbyll ambasadën e saj në Haiti, kërkon riatdhesimin e turistëve

OTAVA, 14 shkurt /ATSH-AFP/ – Qeveria kanadeze vendosi sot të mbyllë përkohësisht ambasadën e saj në Port-au-Prince përballë protestave antiqeveritare që po trondisin qytetet kryesore të Haitit, ndërsa qindra turistë kanadezë e kanë të pamundur të largohen nga vendi.

”Për shkak të pasigurisë aktuale, ambasada e Port-au-Prince është mbyllur sot. Ne do të vijojmë monitorimin e situatës në ditët në vijim për t’u siguruar që diplomatët tanë dhe familjet e tyre të jenë të sigurtë”, njoftoi Ministria kanadeze e Punëve të Jashtme.

Konfrontimet mes policisë dhe protestuesve shënuan të paktën një të vdekur të mërkurën në Port-au-Prince, duke e çuar bilancin në të paktën shtatë persona të vdekur që prej fillimit të manifestimeve, një javë më parë./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.