Opozita ka problem serioz lidershipi, prej 5 vitesh pa asnjë alternativë

TIRANË, 14 shkurt/ATSH- Klotilda Saraçini/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “u bënë 5 vjet e gjysëm që kemi përballë një opozitë që nuk arrin dot të artikulojë asnjë alternativë, nuk arrin të bëhet atraktive për njerëzit përmes një oferte që të mund të tërheqë vëmendjen, të zgjojë interes dhe shpresë tek njerëzit”.
I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Kryeministri Rama tha se “kjo opozitë nuk bën asnjë hap për të reflektuar mbi vetveten”.
“Me të mirat, me të metat, me gabimet, me dobësitë, ne gjithmonë kemi pasur një qasje më reflektuese ndaj vetes qoftë në opozitë, dhe në qeveri”, – tha Rama.
Kreu i Qeverisë theksoi se opozita ka problem serioz lidershipi, ka mbetur në dy palë duar tërësisht të paafta, duart e Lulzimit nga njëra anë dhe Doktorreshës nga ana tjetër dhe është një fuqi e dëshpëruar.
“Ne i shikojmë të gjitha anketimet tona. Raporti i publikut është me ne. Ndërsa po të shohësh trendin e opozitës është si ajo elektrokardiograma e një trupi që merr frymë, por vegjeton”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ne kemi eksperiencën e protestave kemi bërë protesta të jashtëzakonshme, Për një parti potilike nuk është e vështirë të motivojë një grup njerëzish të dalin në protestë.
“Nuk është numri i njerëzve që dalin nëpër rrugë njësi matëse për mbështetjen apo për mungesën e mbështetjes politike në rast se në momente të caktuara bëhen zgjedhjet. Ka një shprehje të bukur italiane që thotë ‘piazze piene, urne vuote’. (sheshet plotë, kutitë bosh)”, u shpreh Rama.
Sipas tij, ka parti që mbushin sheshet dhe nuk mbushin dot kutitë e votimit se nuk kanë mbështetjen që duket nga sheshi.
“Dua të them që në këndvështrimin tim jemi përpara një force që i bashkon dëshpërimi, njerëzish që thonë ne nuk i fitojmë dot zgjedhjet, prandaj duhet të gjejmë një rruge alternative për të marrë pushtetin”, tha Rama.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.