Nis së shpejti rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Gustav Majer”

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/-Në vijim të punës për përmirësimin e kushteve të mësimit për nxënësit e të gjitha institucioneve arsimore, bashkia e Tiranës do të nisë së shpejti rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Gustav Majer”.

Ky rikonstruksion, i cili do të zgjasë për një periudhë kohore deri në 6 muaj, është i domosdoshëm për shkak të nevojës për ndërhyrje në sistemin qendror të ngrohjes, nyjeve sanitare dhe kushteve të palestrës.

“Por, nisur nga shqetësimi i drejtë i disa prej prindërve të nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Gustav Majer”, të cilët do të duhet ta zhvillojnë mësimin në një shkollë tjetër për shkak të rikonstruksionit të saj, bashkia e Tiranës dëshiron të sqarojë se arsyeja e ndërhyrjes në këtë periudhë të vitit në këtë shkollë është sigurimi i kohës së nevojshme për të kryer të gjitha punimet e parashikuara, në mënyrë që shkolla e rikonstruktuar të çelë dyert për nxënësit e saj në shtator 2019”, bën të ditur bashkia e Tiranës.

Sistemimi i nxënësve për vazhdimin e përkohshëm të mësimit në një shkollë tjetër kryhet nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës. Punimet për rikonstruksionin e shkollës “Gustav Majer” do të nisin pas datës 18 shkurt, vetëm pasi DAR-i të ketë sistemuar të gjithë nxënësit.

Bashkia e Tiranës dëshiron mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë prindërve të nxënësve që frekuentojnë shkollën “Gustav Majer”, që rikonstruksioni i saj të fillojë brenda këtij muaji, pasi ndërhyrjet në godinë kërkojnë një kohë dy herë më të gjatë se sa periudha 3-mujore e pushimeve verore. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.