Task Forca Antikorrupsion, edhe 6 të shkarkuar në Hipotekën e Durrësit

TIRANË, 13 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Në raportimin publik javor, koordinatorja kombëtare e Antikorrupsionit, Etilda Gjonaj deklaroi se janë marrë masa të reja ndëshkimore kundër korrupsionit, duke theksuar se ka zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit.

Në një deklaratë për mediet, Gjonaj u shpreh se Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ashtu sikurse edhe të gjitha institucionet dhe zyrat e tjera shtetërore ku ofrohen shërbime për qytetarët kanë qenë dhe do të vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes dhe kontrollit për sa i përket mënyrës së zbatimit të ligjshmërisë dhe ofrimin e shërbimeve publike. “Nga ana tjetër ne jemi të vendosur që t’i shkojmë deri në fund çdo denoncimi, që bëhet si në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al apo edhe nga media, duke hetuar në mënyrë të detajuar çdo praktikë të dyshimtë dhe duke marrë masat përkatëse për çdo punonjës që dyshohet të ketë kryer veprime korruptive apo abuzim me detyrën”, tha ajo.

“Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, ka qenë në fokus të disa kontrolleve të ndryshme administrative, nisur nga denoncime që kanë ardhur më herët pranë Platformës së Bashkëqeverisjes, si dhe falë denoncimeve të medieve. Në muajin janar, falë denoncimit të një media, për shkelje të rënda në detyrë, përfshirë edhe shkeljen e etikës dhe komunikimit me publikun është shkarkuar nga detyra, ashtu siç dhe ju jeni në dijeni, Regjistruesi i Zyrës Vendore Durrës si dhe disa punonjës të Sektorëve të Regjistrimit dhe Hartografisë. Po në janar të vitit 2019, të bëra publike dhe në konferencën për shtyp, në përfundim të kontrollit ushtruar nga inspektimi i brendshëm janë marrë gjithashtu dhe 14 masa të tjera, ku 12 prej tyre kanë qenë largim nga puna e punonjësve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës” tha ministrja.

Më tej, Gjonaj tha se në vijim të angazhimit tonë për të reformuar rrënjësisht këtë zyrë, bazuar dhe në informacionet e mëtejshme mbi praktika abuzive dhe shkelje në dëm të cilësisë së ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve, Task Forca Antikorrupsion ka ushtruar një kontroll tjetër administrativ pranë Zyrës së Durrësit.

“Nga kontrolli rezultoi se: Nga praktikat e monitoruara rezultojnë aplikime të trajtuara jashtë afateve të parashikuara në aktet nënligjore “Për afatet e trajtimit dhe përpunimit të kërkesave nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”. Sistemi online i menaxhimit të aplikimeve nuk pasqyron situatën reale të praktikave të trajtuara ose jashtë afatit, për faktin se është gjendur se sistemi nuk është administruar dhe përdorur në të gjitha fazat e tij nga specialistët e kësaj Zyre. Nuk është vepruar në përputhje me kërkesat e rregullave  “Për arkivimin e dokumenteve tekniko-ligjore në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme“, duke bërë kështu dhe referenca dhe praktika të shërbimeve të ofruara në një masë të konsiderueshme duke mos u arkivuar dhe duke sjellë pasoja në vërtetimin e origjinës së pasurisë si dhe duke krijuar hapësira për veprime të cilat mund të fshehin figura të veprave penale”, tha ajo.

Po ashtu, Gjonaj theksoi se “Bazuar në gjetjet e këtij kontrolli, nga Task Forca Antikorrupsion janë rekomanduar gjithashtu një sërë masash të tjetra disiplinore, duke iu shtuar 15 masave disiplinore të marra më herët. Dhe pikërisht: Largim nga puna për 6 specialistë, të kësaj Zyre, Sektorit të Regjistrimit dhe Hartografisë; Vërejtje me shkrim për 10 specialistë të tjerë, juristë dhe hartograf, të Sektorit të Regjistrimit dhe Hartografisë, duke çuar në total numrin e masave disiplinore për punonjësit e kësaj zyre në 31 masa”,

Gjithashtu Gjonaj shtoi se gjatë javës së kaluar nga Policia e Shtetit janë evidentuar dhe referuar në Prokurori materialet për 9 raste të veprave penale, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve dhe i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Shpërdorim detyre”.

“Janë proceduar penalisht: 27 autorë, të cilët janë ndaluar dhe arrestuar 2 prej tyre duke u marrë dhe masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje” për pjesën tjetër. Në përfundim të këtij raportimi javor më duhet të nënvizoj mesazhin e qartë për të gjithë: Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ashtu sikurse edhe të gjitha institucionet apo zyrat e administratës që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, kanë vetëm një detyrë, të veprojnë në respekt të ligjit dhe duke iu shërbyer cilësisht dhe në mënyrë transparente qytetarëve”, tha ministrja.

Në fund ministrja, Gjonaj u shpreh se “Nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe asnjë kthim prapa për këdo që shkel ligjin dhe që nuk ofron shërbimet cilësore ndaj qytetarëve. Kontrollet e Task Forcës do të vijojnë gjithnjë e më intensive dhe do t’i shkojnë deri në fund çdo denoncimi apo çdo indicie që do të kemi për akte korruptive apo abuzim me detyrën për çdo zyrtar”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.