Rama viziton një fermë blegtorale në Balldren

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ – Janë të shumtë fermerët e bizneset që po i kthejnë gjithnjë e më shumë sytë drejt blegtorisë, ku cilësia e lartë e produktit vendas po i shndërron në marka të cilësisë në treg.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ambientet e fermës “Flori” që mbarështon 420 krerë bagëti, u njoh nga afër me rritjen nga viti në vit të prodhimit blegtoral, për të ardhur në investimin më të rëndësishëm, atë të një viti më parë, futjen e teknologjisë së re me mbështetjen e AZHBR-së, që i ka dyfishuar prodhimin e qumështit.

“Flori” është përfitues nga skema kombëtare 2018 me makineri të re që bën përpunimin e silazhit për kafshët. Është një teknologji moderne”, – tha Frida Krifca, drejtuese e AZHBR-së.

“Kemi pasur vështirësi me makineri të vjetër. Tani kjo e ka lehtësuar komplet punën. Ndihma e qeverisë na ka ndihmuar shumë. Unë kam pasur 2 mijë litra, sot jam 4 mijë litra,” shprehet vetë sipërmarrësi, duke shtuar se një tjetër ndihmë e madhe për të ka qenë dhe zerimi i taksës për inputet bujqësore. “E kemi pritur me padurim”, – u shpreh nga ana e tij Flori.

“Ka një linjë të përpunimit të qumështit që është e standardeve europiane dhe atë e ka marrë me financim nga programi IPARD. Aty arrin të prodhojë produkte blegtorale shumë cilësore”, tha drejtuesja e AZHBR-së, Krifca.

Administratorët e kësaj ferme theksuan gjithashtu, se ata bëjnë shumë kujdes edhe me përzgjedhjen e racës së lopëve dhe cilësinë e bazës ushqimore.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.