FOTO/ Bibliotekës së Zejmenit i shtohen 200 libra të rinj

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ – Në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për Lexim, Ministria e Kulturës pasuroi bibliotekën e shkollës së bashkuar Zejmen me 200 libra. Deri tani kanë përfituar 10 shkolla periferike në të gjithë vendin.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi nga Zejmeni se ”po bashkërendojmë punën me Ministrinë e Arsimit, me qëllim që të rritet numri i shkollave me biblioteka të mirëmbajtura dhe të pasura me tituj të rinj. Ku ka dije, ku ka bibliotekë, ku lexohet, ka dhe ide novative, ka gjithnjë një shteg të ri për të dalë nga situatat e vështira, për t’u matur me botën me inteligjencë dhe mençuri”.

Libri dhe leximi duhen kuptuar jo thjesht si tregues të zhvillimit kulturor të një vendi, por dhe si motor lëvizës i zhvillimit social dhe ekonomik të tij. Libri përgatit qytetarë më të informuar për të drejtat e detyrimet e tyre, më të motivuar e më të ndërgjegjësuar për të përballuar sfidat e zhvillimit shoqëror.

Lëvizja Kombëtare për Lexim vjen si një emergjencë kombëtare, në mbështetje të nevojës së shoqërisë shqiptare për një vizion të përbashkët europian të jetës që buron nga kulturimi dhe emancipimi i individit.

Fëmijët janë targeti i Lëvizjes Kombëtare për Lexim, nga 0-14 vjeç. Kushti kryesor që një fëmijë të bëhet lexues është që prindërit të fillojnë që herët t’u rrëfejnë e t’u lexojnë libra me zë.

Këtë vit Lëvizja Kombëtare ka marrë si model 12 shkolla periferike, bibliotekat e të cilave do t’i pajisë me libra dhe do të synojë trajnimin e mësuesve të këtyre shkollave për mënyrën sesi të punojnë për të afruar nxënësit me librin.

Një tjetër detyrë është dhe pasurimi i bibliotekave publike, kthimi në ambiente funksionale dhe tërheqëse për fëmijët dhe të rinjtë. Është një angazhim i kësaj lëvizje arritja e një marrëveshjeje me bashkitë e vendit për t’i nxitur të krijojnë një zë të rëndësishëm në buxhet për bibliotekat publike.

Nxënësit u njohën nga afër me librat e dhuruar në orarin e pushimit duke treguar interes për titujt e rinj të letërsisë bashkëkohore.

Lëvizja Kombëtare për Lexim nisi në muajin nëntor 2018 dhe do të vazhdojë deri në muajin prill 2019. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.