Ahmeti: Korrigjimi i kufijve nuk përfshihet në platformë

PRISHTINË, 13 shkurt/ATSH/ – Shpend Ahmeti, njëri nga kryesuesit e Ekipit negociator për bisedime me Serbinë, tha se as Kryeministri Ramush Haradinaj dhe, as të tjerët nuk duhet lënë vetëm për çështjen e taksës ndaj mallrave serbe, duke kërkuar kështu nga liderët kosovarë të mbajnë një qëndrim të përbashkët.

Ai këto komente i bëri pas takimit të krerëve institucionalë dhe ekipit negociator për dialogun me Serbinë, pas finalizimit të platformës për bisedimet në Bruksel.

Ahmeti me këtë rast bëri thirrje që krerët e lartë shtetërorë të mos e lënë njëri-tjetrin vetëm në çështjen e taksës, ndërsa shprehu besimin se kjo nuk do të rrezikojë raportet me SHBA-në, pavarësisht letrës së dërguar lidhur me heqjen e taksës nga ana e Uashingtonit zyrtar.

“Mos ta lëmë njëri-tjetrin vetë në këto tema. Nuk mundemi me lënë Kryeministrin vetë, krejt presioni tash vjen tek ai. Nuk do ta lëmë vetë njëri-tjetrin, nëse marrim vendim bashkë me mbajt taksën, do ta mbajmë të gjithë, nëse merret vendimi me heq taksën ta ndajmë kritikën bashkë. Është e qartë që ka filluar të eskalojë pak edhe marrëdhënia me SHBA. Megjithatë jam i bindur që kjo nuk rrezikon marrëdhëniet tona me SHBA-të”, tha Ahmeti.

Ai tha se çështja e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi nuk do të përfshihet në platformën për bisedimet me palën serbe në Bruksel.

“Ajo ç’ka po kërkoj është të kemi një qëndrim unik si shtet. Nuk jemi të fortë karshi të tjerëve nëse kemi një përfaqësues të institucionit që thotë ky është vendim i duhur, tjetri thotë ky nuk është vendim i duhur. Në momentin kur shkojmë me një kërkesë dhe kërkesa ka qenë që Serbia të ulet pa kushte në tavolinë, nuk kemi çka e heqim taksën, se mundemi me i qit 100 kushte të tjera. Në momentin kur e bëjmë këtë kërkesë në Bruksel apo Uashington, ata e dinë që ka mospajtime në Kosovë”, tha Ahmeti.

Për më tepër, Ahmeti ka bërë të ditur se platforma për dialogun me Serbinë pritet të dërgohet zyrtarisht të premten në Kuvend, ndërsa sa i përket letrës së SHBA-së lidhur me taksën, ai tha se nuk ka ndonjë ndryshim nga ana e kryeministrit Haradinaj sa i përket heqjes së saj.

Ekipi negociator për dialogun me Serbinë ka finalizuar dje platformën për bisedime në Bruksel. /Kosovapress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.