Pronësia e tokës bujqësore dhe titujt e pronësisë, miratohen dy pr.ligjet që i japin zgjidhje problematikës

TIRANË, 12 shkurt ATSH/ – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje në kuadër të paketës së reformës së pronës, nisma të deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe.

Projektligjet e miratuara, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar” dhe “Për një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi token bujqësore”, të ndryshuar”, ishin diskutuar dhe miratuar në parim në seancat paraardhëse të komisionit.

Të pranishëm në mbledhje ishin Ermira Gjeçi, zëvendësministre e Bujqësisë dhe Teuta Vodo, zëvendësministre e Drejtësisë.

Relatorë të të dy projektligjeve ishin deputetët e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka dhe Bashkim Fino.

Bushka, në cilësinë e relatores, sqaroi se të dy projektligjet kanë nevojë për dy ndërhyrje: për shtyrje të afateve dhe për saktësimin e zgjidhjes së problematikës për banorët e Divjakës, për familjet bujqësore.

Deputetja Bushka u shpreh gjithashtu se është punuar me një grup të përbashkët pune, me praninë e të dy relatorëve, me praninë e propozuesit, Braçe dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ministrive përkatëse, për të punuar riformulimet në ndryshimet e propozuar nga Braçe, lidhur me qartësinë e tyre dhe teknikën legjislative.

Bushka prezantoi për komisionin riformulimet përkatëse. Opozita, përmes Fatmir Mediu, ngriti pretendimin e mospërputhshmërisë së projektligjeve me standardet europiane. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Bujqësisë shprehën dakordësinë me propozimet e Braçes dhe sugjerimet e relatores.

Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjet: “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar” dhe “Për një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.