Operacioni Shqipëri-Itali/ Lleshaj: Një tjetër provë e qartë për çmontimin e krimit të organizuar

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ – Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e konsideroi një goditje të rëndësishme për krimin e organizuar operacionin ndërkombëtar të trafikut të drogës të kryer nga Shqipëria dhe Italia.

Në operacionin e koduar “Lulet e Pranverës” u goditën 4 grupe kriminale, ndërsa janë arrestuar 27 persona, 21 prej të cilëve shqiptarë të arrestuar në të dyja anët e Adriatikut.

“Një tjetër goditje e rëndësishme për krimin e organizuar ndërmjet Shqipërisë e Italisë. Finalizimi i operacionit të përbashkët mes policive të të dy vendeve, një provë tjetër e qartë e vullnetit dhe e kapaciteteve për çmontimin e krimit të organizuar”, shprehet Lleshaj.

Ministri bën të ditur se “operacioni vazhdon”.

Operacioni është rezultat i një hetimi dyvjeçar nga prokuroria e Leçes në Itali. Operacioni është shtrirë në disa drejtori vendore të policisë së Durrësit, Vlorës dhe Lezhë gjatë harkut kohor të mbi dy viteve nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.