Orare vizitash në pavijonet e spitaleve, në Urgjenca nuk do lejohen familjarët

TIRANË, 11 shkurt /ATSH A.ALLA/ – “Është një akt barbar, një akt që përpos kundër çdo ligji gjithashtu është kundër çdo kodi etik, morali dhe sjellje. Ne jemi në krah të personelit mjekësor, jemi duke punuar çdo ditë për qytetarët për të ofruar kujdes shëndetësor, për të transformuar spitalet, por nuk mund të lejojmë që mjekët që bëjnë detyrën e tyre, të kanosen e goditen për shkak të detyrës”, tha ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastriliu gjatë një deklarate për mediet, duke iu referuar rastit të agresionit ndaj mjekut infeksionist G.S, ditën e djeshme në spitalin infektiv në QSUT.

“Jo vetëm që kam propozuar ndryshimet në Kodin Penal për të vendosur esksluzivisht goditjen dhe kanosjen për shkak të detyrës për personelin shëndetësor dhe të gjithë masat dhe kuadrin ligjor, por gjithashtu ne do vendosim një regjim të ri nëpër spitalet tona. Nuk mundemi ne më të tolerojmë që ndërkohë që mjekët dhe infermierët japin shërbime për qytetarët, ndërkohë që po transformojmë spitalet tona me kushte më të mira për pacientët, me teknologji më të përparuar, me infermierë që përzgjidhen sipas meritave të kanosen për shkak të detyrës. Është i mirëkuptueshëm stresi që përjeton kur çon në spital një të afërm, por ne duhet të lejojmë mjekët dhe infermierët të bëjnë detyrën e tyre”, tha Manastirliu.

“Regjimi i ri që ne do vendosim është regjimi për vendosjen e orareve të vizitave në çdo pavijon, në çdo urgjencë nuk do lejohet shoqërimi nga familjarë vetëm në rast kur mjeku e kërkon prezencën e tyre. Pasi ne duhet të garantojmë që mjekët dhe infermierët të punojnë të qetë, duke garantuar se do vijojmë në garantimin dhe plotësimin e të gjitha kushteve për të ofruar një shërbim sa më cilësor për pacientët. Kjo masë do merret menjëherë gjithashtu dhe me riorganizmin e shërbimit të sigurisë nëpër spitale sidomos në ato shërbime ku është vendosje e detyruar siç janë shërbimet e urgjencës në të cilat fluksi është i madh dhe kërkohet një siguri e shtuar”, përfundoi deklaratën ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastriliu. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.