Përfundojnë legalizimet në Pezë. Lame: Tani nis regjistrimi i tokës bujqësore

TIRANË, 9 shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/ – Peza është zona e parë në Tiranë që përfundon procesin e legalizimeve. Në një aktivitetet të zhvilluar në këtë njësi administrative, ALUIZNI dha lejet e fundit që përmbyllin kështu një proces të gjatë në kohë dhe të gjerë në problematikë.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se ALUIZNI e kreu rolin e vet në historinë e tranzicionit shqiptar dhe, tashmë duke përmbyllur radhë pas radhe procesin e legalizimit, po shkon drejt shuarjes së vet.

Duke sjellë në vëmendje faktin se, deri në 2013 në të gjithë zonën e Pezës nuk ishte bërë as edhe një legalizim, Lame sqaroi se, i gjithë stoku prej 833 objektesh në këtë zonë të kryeqytetit u trajtua në këto 5 vitet e fundit, siç u trajtua dhe po vazhdon të trajtohet në të gjithë Shqipërinë.

“U përmbyll me sukses ky proces edhe për faktin se e gjithë popullsia e kësaj zone u impenjua që të bashkëpunonte me punonjësit tanë për ndjekjen dhe plotësimin e dokumentacionit”, tha kreu i ALUIZNI-t, në prani edhe të deputetit të zonës Arben Pëllumbi, duke përmendur se, “kur në 2013 Partia Socialiste dha premtimin për përmbylljen e procesit të legalizimeve është thënë gjithmonë, legalizim falas dhe legalizim i çdo objekti të legalizueshëm”, tha Lame.

Sipas tij, ka dhe objekte që nuk mund të legalizohen apo objekte që do të presin ndryshime ligjore, nëse do të jetë e mundshme.

Nga Peza, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t tha se, “pas legalizimeve nis aksioni i madh i këtij mandati të Qeverisë, që është regjistrimi i tokave bujqësore, i AMTP-ve. Ky është aksioni i madh i radhës, që kërkon njësinë vendore të impenjohet për të vazhduar procedurat, është aksion që kërkon legjislativin të impenjohet”.

“Na besoni, dhe siç mbyllëm aksionin e madh të legalizimeve do të mbyllim dhe aksionin e regjistrimit të tokës bujqësore”, premtoi Lame duke vënë theksin në rëndësinë që ka bujqësia për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.