Kryemadhi në Korçë: Protesta e 16 shkurtit, jo vetëm e opozitës

TIRANË, 9 shkurt /ATSH – I. Vata/ – “Në protestën e opozitës më 16 shkurt ne do të kërkojmë largimin e qeverisë për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse këtu fillon demokracia që është sot në diskutim më shumë se kurrë”, deklaroi kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, sot në një takim në qytetin e Korçës.

“Protesta është jo vetëm e opozitës, por e të gjithë shqiptarëve”, tha Kryemadhi, ndërsa ftoi qytetarët e Korçës të dalin në protestë.

“Kur del korçari në protestë do të thotë që nuk mban më. Kur të dalë korçari në protestë për gjendjen ekonomike, do të thotë se gjendja është e rëndë”, tha ajo.

Po ashtu, Kryemadhi shtoi se problemet që ka shoqëria shqiptare janë kaq të shumta, sa nuk di nga ta fillosh.

“Sot në Shqipëri kemi një problem të madh, sepse jam e bindur se sot qytetarët paguajnë për energjinë më shumë se dje. Jam e bindur se sot ata që kanë një rrogë minimale kanë të njëjtën rrogë, të njëjtat të ardhura, por paguajnë më shumë energji elektrike, paguajnë më shumë taksa, e paguajnë më shtrenjtë bukën, vajin dhe orizin, sepse janë rritur taksat, por pagat jo vetëm nuk janë rritur, janë zhvlerësuar. Kjo do të thotë se pensionisti që merr 180 mijë lekë të vjetra paguan me shumë energji, përveç se do të marrë ilaçet, do paguajë më shumë ujë se çfarë ka pagur, taksën e pronës, 5 mijë lekë për arsimin, taksë për pastrimin, gjelbërimin dhe për tabelën. Me çfarë do jetojë ky? Varfëria ka pllakosur vendin. Dëgjonim se si duan të çojnë moshën e pensionit në 70 vjeç. Kjo nuk është e drejtë, por grabitje, sepse paratë e tyre i kanë dërguar për makina zyrtarësh”, tha ajo.

Gjithashtu Kryemadhi theksoi se “kjo është qeveria që shqiptarët nuk e votuan, por që kriminelët dhe trafikantët e drogës blenë votat dhe grabitën pushtetin e shqiptarëve. Prandaj 16 shkurti nuk është vetëm protestë e opozitës, po është protestë e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe besoj se në 16 shkurt do jenë aty edhe socialistët e ndershëm. Më 16 shkurt nuk janë banorët e Unazës së Re, ndonëse kanë paguar 27 vjet taksat. Në protestë do të jenë studentët që prej 67 ditësh mbajtën protestën e ndezur dhe ata kanë fituar një pjesë të kërkesave të tyre”.

“Mendoni po të jenë shqiptarët të gjithë në protestë. Prandaj 16 shkurti nuk është protestë vetëm e opozitës, por e të gjithë popullit shqiptar. Është protestë e të gjithë atyre që kanë një hall”, tha ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.