Analiza vjetore/ Policia, taskforca qendrore për luftën kundër krimit të organizuar

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ – Policia e Shtetit, zhvilloi analizën e veprimtarisë së kryer përgjatë vitit 2018 për garantimin e rendit e të sigurisë publike. Në këtë analizë ishin të pranishëm ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare Ermonela Felaj, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, drejtori i Gjyqësorit në Prokurorinë e Përgjithshme Adnan Xholi, si dhe përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në fjalën e tij, prezantoi raportin vjetor të veprimtarisë së kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit gjatë vitit 2018 ka përmbushur prioritetet dhe objektivat, në drejtim të parandalimit të kultivimit të kanabisit, trafikimit të lëndëve narkotike, të parandalimit të kriminalitetit, të rritjes së parametrave të rendit dhe sigurisë, të rritjes së performancës së punonjësve të policisë, duke sjellë një shërbim më cilësor për komunitetin, si dhe të forcimit të bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Viti 2018 është viti më i suksesshëm në luftë kundër kultivimit të kanabisit, të goditjes së grupeve kriminale dhe krimit të organizuar, të parandalimit të  krimit ku krahasuar me një vit më parë kemi 1 vrasje më pak, duke shënuar numrin më të ulët në afro 30 vite, vjedhje me dhunë dhe armë më pak, si dhe ndërhyrje në kohë të policisë për parandalimin e përshkallëzimit me pasoja të rënda të shumë konflikteve të çastit.

Në fjalën e saj, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, ka vlerësuar punën dhe rezultatet e arritura gjatë vitit 2018 nga Policia e Shtetit, bashkëpunimin mjaft të mirë mes dy institucioneve në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Prela ka theksuar që ky bashkëpunim të forcohet më tej.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj, ka vlerësuar rritjen e performancës së policisë, si brenda vendit ashtu edhe tek partnerët ndërkombëtarë, si dhe ka theksuar se tashmë mes Komisionit të Sigurisë dhe Policisë së Shtetit po aplikohet një formë  re e komunikimit, ku Komisioni i Sigurisë me plan kalendar po inspekton gjithë strukturat e Policisë së Shtetit, për të njohur nga afër rezultatet dhe problematikat.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në fjalën e tij kërkoi që hetimet proaktive, të jenë anija që prin të gjithë flotën e Policisë së Shtetit

“Policia e Shtetit shqiptar është një polici e vogël, por problematika jonë nuk është e vogël, ende vazhdon që problematika të jetë e madhe dhe për të arritur që të kompensojmë mungesën e numrave të policisë, mbetet i rëndësishëm bashkëpunimi me qytetarët e këtij vendi. Është e rëndësishme, është jetike që Policia e Shtetit të forcojë bashkëpunimin me qytetarët e këtij vendi, është e rëndësishme që qytetarët të rrisin besimin tek policia e tyre dhe për të rritur besimin ka vetëm një mënyrë: ta fitosh atë përmes punës, përmes integritetit, përmes ndershmërisë, përmes përkushtimit, përmes angazhimit dhe përmes sakrificës. Policia është marrë me kriminelët, është marrë me të keqen e vendit por nuk mjafton kjo. Duhet që policia të merret edhe më të keqen e vendit por të merret edhe me qytetarët”, tha Lleshaj.

“Lufta kundër krimit të organizuar mbetet prioriteti i prioriteteve në tërësi. Sigurisht që këtu është bërë shumë janë ngritur struktura, Taskforca Qendrore është një histori suksesi, histori e cila duhet të vijojë të thellohet në këndvështrimin tim dhe në detyrat që së shpejti do të bëj publike për Policinë e Shtetit, për strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme. Do të kërkohet që koncepti i taskforcës të shtrihet në të gjithë Policinë e Shtetit. E gjithë Policia e Shtetit shqiptar do të jetë taskforcë qendrore për luftën kundër krimit të organizuar”, shtoi Lleshaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.