Reforma në Drejtësi po ecën përpara, e suksesshme edhe nëse nuk duan politikanët

TIRANË, 8 shkurt ATSH/ – Reforma në Drejtësi është rruga më e mirë përpara për Shqipërinë.

Ish-Këshilltari Ligjor Kundër Korrupsionit, Gjon Juncaj gjatë një interviste për RTSH, u shpreh se “të gjithë jemi në një mendje se Reforma në Drejtësi është rruga më e mirë përpara”.

Po ashtu, theksoi ai, “nëse politikanët nuk duan që të ketë sukses – më lejoni të jem i qartë për këtë – ajo prapë do të ketë sukses, sepse populli shqiptar e mbështet, Shtetet e Bashkuara e mbështesin, komuniteti ndërkombëtar e mbështet”.

“E shoh si një tren që po lëviz përpara dhe ose do të jesh në tren, ose do të jesh në shina përpara trenit. Por, lëvizja është përpara”, tha Juncaj.

Sigurisht, nënvizoi ai, SPAK, BKH, Prokuroria e Posaçme, përparësia kryesore e tyre është t’i kundërvihen korrupsionit, sidomos korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar dhe të gjithë ata persona do të bëjnë gjithçka që munden që ta pengojnë përparimin e reformës, edhe njerëz që mund të jenë duke e mbështetur publikisht, por në prapaskenë kanë plane të tjera, por prapëseprapë do të ecë përpara”.

“Ai tren tashmë ecën përpara. Mund t’ju them se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të përkushtuara ndaj atij misioni. Ky është një prioritet i Shteteve të Bashkuara. Ne do të trajnojmë, këshillojmë dhe do të mbështesim dhe do të vëzhgojmë gjithë rrugës lidhur me SPAK dhe BKH”, deklaroi ai.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.