Arrestimet për abuzim me tenderat, Gjonaj: Akuzat e opozitës, sulm ndaj drejtësisë

TIRANË, 8 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni i kërkoi prokurorisë të mos intimidohet nga sulmet e opozitës, por të zbatojë ligjin, ndërkohë që akuzoi opozitën se synon sulm ndaj Reformës në Drejtësi.

Në një deklaratë për mediet, Gjonaj tha se jemi vënë në shënjestër nga një sulm i ulët i opozitës dhe kryesisht Monika Kryemadhit, e cila është në një garë të ethshme me liderët e tjerë të opozitës për shpifje dhe trillime. “Më ka sulmuar familjarisht pas arrestimit të një grupi personash të cilët dyshohen se janë përgjegjës për një sërë abuzimesh dhe shkeljesh ligjore në Ministrinë e Drejtësisë gjatë viteve të kaluara”, theksoi Gjonaj.

“Këto arrestime të bëra nga prokuroria si rrjedhojë e punës së inspektimeve të brendshme mbi procedura skandaloze tenderimesh, kanë mjaftuar që Kryemadhi të lëshohet me shantazhime”, shpjegoi ajo.

Gjonaj sqaroi se procedurat e tenderimit në Ministrinë e Drejtësisë për vitin 2016-2017 kanë qenë abuzive sipas hetimit të prokurorisë, e cila u bë shkak për arrestimin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë.

“Jam e vendosur të mbështes prokurorinë në luftën kundër korrupsionit dhe inkurajoj atë për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me ligjin dhe detyrën. I bëj thirrje organeve të drejtësisë të mos ndalen, por të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë kryer vepër penale. Kush ka përgjegjësi ta mbajë atë sipas ligjit. I kërkoj prokurorisë të mos intimidohet nga sulmet që kërkojnë të pengojnë zbatimin e ligjit”, – tha Gjonaj.

Duke folur për tenderimin e byzylykët, Gjonaj sqaron se “procedura e tenderimeve të kryera dhe procedurat e tenderimit të byzylykëve që tashmë është kthyer në një gangrenë edhe për zbatimin e saj në Ministrinë e Drejtësisë, duhet zbardhur deri në fund dhe të gjithë ata që kanë hedhur firmat të mbajnë përgjegjësinë e tyre. Drejtësia duhet të bëhet e plotë dhe e drejtë deri në fund. Drejtësia nuk duhet të jetë selektive, por të gjithë njësoj duhet të përgjigjen para ligjit. Duhet të bëjmë durim të gjithë deri në rezultatet e hetimit nga prokuroria dhe të mos nxitojmë me deklarata, thirrje dhe shpifje të cilat nuk ndihmojnë hetimin e këtij procesi”.

Po ashtu Gjonaj theksoi se ofensiva kryesore e opozitës kundër prokurorisë nuk është aspak e rastit, por me atë që dihet dhe mbetet arsyeja e kundërvënies së vazhdueshme kundër Reformës në Drejtësi.

“Do duhet që opozita të mbështesë Drejtësinë jo me fjalë e akuza, por me vepra për zbatimin e ligjit për këdo”, tha në fund ministrja. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.