Ndryshim rrënjësor i qendrës shëndetësore Novoselë, Vlorë

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – Falë programit kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore deri në fund të mandatit, Qendra Shëndetësore në Novoselë, Vlorë është transformuar tërësisht.

Kjo ambulancë është një nga 80 qendrat shëndetësore të rindërtuara me themel gjatë fazës së parë të këtij programi. Faza e dytë e këtij programi nis këtë vit me 100 qendra të tjera.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot transformimin total e kuptimplotë të kësaj Qendre Shëndetësore.

“Mirëmëngjes dhe me këtë pasqyrë që nga njëra anë u freskon pak kujtesën atyre që e kanë harruar shërbimin shëndetësor të zorzopëve, e nga ana tjetër flet qartë për ndryshimin mes nesh e tyre, ju uroj një ditë të mbarë”, thekson Rama.

Një banor i zonës thotë se më para nuk kanë qenë kushte të mira, tani janë më të mira dhe më komode.

Doktor Arben Xhuveli shprehet se “me ndërhyrjen e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë për riparimin e ambienteve u bë një përmirësim i ndjeshëm i kushteve”.

Sulltana Muçaj infermiere thekson se “kushtet linin shumë për të dëshiruar, nuk kishte kushte të përshtatshme për vaksinimin e fëmijëve, ishte shumë ftohtë, lagështira ishte shumë e madhe”.

“Sot është shumë mirë me restaurimet që janë bërë. Mendoj se kanë bërë gjënë më të mirë”, shprehet ajo.

Qeveria shqiptare me anë të programit kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore deri në fund të mandatit do t’i transformojë ato në qendra moderne mjekësore jo vetëm sa i takon infrastrukturës, por edhe pajisjeve mjekësore./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.