Gjonaj për akuzat e Kryemadhit: Përpara ligjit jemi të barabartë, i pafajshmi s’ka pse të frikësohet

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ – Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nga foltorja e Kuvendit ka lëshuar akuza në drejtim të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj pas shkarkimit të katër zyrtarëve për abuzime me tendera, duke shkaktuar edhe debate mes tyre.

Kryemadhi akuzoi ministren se po kërcënonte gjyqtarë e prokurorë për arrestimin e zyrtarëve në Ministrinë e Drejtësisë.

“Nuk po merrem sot me ministren e Drejtësisë, sepse nuk qenka këtu në sallë. Por meqenëse ajo paska dëshirë shumë të madhe për të luftuar korrupsionin, po i bëj me dije asaj dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, që shantazhet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve quhen shkelje e ligjit. Prandaj i them znj. Etilda Gjonaj që të jetë shumë e kujdesshme në telefonatat e saj, apo dhe në mesazhet që ju çon gjyqtarëve dhe prokurorëve”, – u shpreh Kryemadhi.

Deklaratat dhe akuzat e deputetes Kryemadhi, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i cilësoi si një shantazh të hapur, duke shtuar se fokusi i saj është vetëm zbatimi i ligjit.

“Për fat të keq u njoha përmes medias me disa deklarata dhe akuza të bëra pak më herët në këtë sallë nga deputetja Kryemadhi, për shkak se më duhej të isha prezente në një takim që organizohej me ambasadorët dhe të gjithë përfaqësitë diplomatike në Shqipëri, për të raportuar për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Kur dëgjova më pas akuzat e bëra nga deputetja Kryemadhi ndaj meje, një pjesë e të cilave ishin në formën e drejtpërdrejtë të një shantazhi personal. Unë jam këtu në këtë detyrë për t’i shërbyer me integritet vetëm qytetarëve dhe vendit. Meqënse është shumë e përfolur ngjarja e fundit për një hetim të nisur në Ministrinë e Drejtësisë e më pas disa arrestime, më lejoni t’ju sjell disa fakte lidhur me çështjen e hetuar nga prokuroria. Si çdo institucion në fushën e përgjegjësisë së tij, inspektimi i brendshëm i Ministrisë së Drejtësisë ka kryer inspektimin për veprimtarinë dhe ligjshmërinë financiare të Ministrisë së Drejtësisë për vitet 2016 – 2017. Pas gjetjes së raportit të auditit të brendshëm në bazë të legjislacionit në fuqi, gjetjet e këtij raporti i janë kaluar Inspektimit financiar të Ministrisë së Financave dhe ekonomisë. Ky inspektim ka bërë hetim më të thelluar dhe të brendshëm të dosjeve dhe gjetjeve të raportit të inspektimit të brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë dhe në fund ka vijuar me procedurat sipas kërkesave të ligjit për të dërguar në hetim dosjen e për tu hetuar më pas nga prokuroria. Është prokuroria që e ka marrë në dorë këtë çështje dhe që ka vënë përpara përgjegjësisë autorët e dyshuar në këtë dosje. Nuk jam përfshirë në këtë çështje duke kapur apo duke ndikuar ashtu siç zonja Kryemadhi tha prokurorët, kjo jo vetëm për shkak të mungesës së legjitimimit që unë kam për këtë çështje por dhe për shkak të natyrës time. Nuk e bëj për asnjë lloj rasti e jo më për këtë çështje. Si rezultat i hetimeve, prokuroria ka gjetur shkelje në një sërë procedurash dhe për këtë arsye ajo ka nisur çështjen penale, madje duke ndaluar edhe një numër relativisht të konsiderueshëm zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të kësaj Ministrie”, – theksoi Gjonaj.

Nga foltorja e Kuvendit Gjonaj diskutoi edhe për “Ligjin për Noterinë”, i cili sipas saj është një nga ligjet më të rëndësishme për plotësimin e Reformës në Drejtësi. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për disa funksionarë të cilët akuzohen për abuzimit me tenderat në Ministrinë e Drejtësisë, duke vendosur në pranga katër prej tyre.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.