Spaho: Mazhoranca, skemë për zvarritjen e hetimit të Tahirit

TIRANË, 6 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho akuzoi mazhorancën se ka ndërtuar një skemë për të zvarritur hetimet ndaj Saimir Tahirit, pasi refuzon të ngrihet Komisioni Hetimor për çështjen “Tahiri”.

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në një deklaratë për mediet, Spaho u shpreh se në konferencën e kryetarëve mazhoranca refuzoi ngritjen pa vonesë të komisionit hetimor për Saimir Tahirin, në përpjekje për ta zvarritur sërish të drejtën kushtetuese të opozitës për të kontrolluar qeverisjen.

Spaho argumenton se ndryshimet që ka kërkuar opozita nuk janë thelbësore, por kanë të bëjnë me kohën e hetimit apo shtimin e numrit të anëtarëve të komisionit.

“Ndryshimet tona nuk janë thelbësore. Ato kanë të bëjnë me kohën e hetimit, që nga 6 muaj, bëhet 3 muaj. Me numrin e deputetëve që nga 9, bëhet 11. Me ngushtimin e kohës për të cilën do të hetohet, nga e papërcaktuar, në 2014-2018”, tha ai.

Po ashtu, Spaho ripërsëriti qëndrimin e PD-së në lidhje me paralajmërimin e saj se Donika Prela po bëhet gati të lirojë nga akuzat Tahirin.

“Partia Demokratike e ka paralajmëruar se Donika Prela, që duhej të ishte nën hetim për pastrim parash dhe favorizim të bandave, po bëhet gati të lirojë Tahirin nga akuza e drogës dhe, në rastin më të keq, do t’i ngarkojnë një akuzë banale, si shpërdorimi i detyrës”, u shpreh Spaho. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.