Lleshaj: Nuk ka patur dhunë ndaj studentëve, vetëm një ndërhyrje me kërkesë të Fakultetit

TIRANË, 6 Shkurt/ATSH/-Ministri i Brendshëm, Sandër  Lleshaj i pranishëm në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deklaroi se “nuk ka patur asnjë urdhër për dhunë ndaj studentëve që kanë marrë pjesë në protestën e muajit dhjetor. Policia ka qenë në shërbim të këtij qëllimi. Policët kanë ndihmuar që protesta të shkojë mirë dhe në fakt ka shkuar shumë mirë”

Në nisje të seancës, ministri iu drejtua kryetares së Komisionit, Vokshi duke i kërkuar nenin me të cilin është thirrur, pyetje e cila shkaktoi debate tek deputetët.

“Sa i përket thelbit të çështjes, e para, duhet të them që pyetja juaj, e nderuar zonjë, edhe e formuluar këtu, edhe në shkresë, në fakt është përgjigje. Sepse ju referoheni në shkresë një të ashtuquajture dhunë të ushtruar nga forcat e rendit kundër studentëve. Pra ju keni arritur në një përfundim dhe besoj që nuk kërkoni ndonjë shpjegim të madh prej meje”, tha ai.

Sipas ministrit, strukturat e Policisë së Shtetit nuk kanë ushtruar asnjë lloj dhune ndaj studentëve protestues në protestat e zhvilluara në fundin e vitit 2018.

“Duke filluar nga data 5 dhjetor, forcat e Policisë së Shtetit janë angazhuar në një operacion të gjerë për sigurimin e mbarëvajtjes së protestave të studentëve, të cilat siç e dini kanë filluar në datën 5 Dhjetor.  Gjatë kësaj periudhe, Policia e Shtetit ka kryer një volum jashtëzakonisht të madh pune për mbarëvajtjen e këtyre protestave. Nuk ka pasur asnjë urdhër për të ushtruar dhunë ndaj studentëve që kanë marrë pjesë në protestat e zhvilluara gjatë muajit dhjetor”, tha Lleshaj.

Policia e Shtetit, vijoi ai, ka pasur urdhër të sigurojë mbarëvajtjen e tyre, të angazhojë të gjithë kapacitetet, të punojë jashtë orarit dhe në shërbim të këtij qëllimi dhe të kësaj detyre janë realizuar një sasi e jashtëzakonshme shërbimesh.

“Po ju them që janë angazhuar 5634 punonjës Policie në të gjithë vendin, të cilët i janë dedikuar mbarëvajtjes së këtyre protestave. Pra 5634 punonjës police kanë shërbyer që protestat të shkojnë mirë dhe protestat kanë shkuar shumë mirë. Ky është konkluzioni i Ministrisë së Brendshme, sepse kemi patur pothuajse zero incidente gjatë zhvillimit të protestave”, deklaroi ministri.

Lleshaj, Policia e Shtetit vetëm në një rast ka hyrë në territorin e Universitetit, kur është kërkuar nga drejtuesit e fakultetit me shkresë zyrtare.

“Ka pasur vetëm një rast te Fakulteti Ekonomik ku Policia e Shtetit ka shkuar atje e thirrur nga dy burime, nga drejtues të universitetit, nga Administratori i Universitetit dhe nga Policia private, e cila ka detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë e brendshme në godinë, e cila paguhet nga vetë universiteti.Ka pasur dy kërkesa të ndryshme, nga dy drejtime të ndryshme, Policia dhe Universiteti, kanë kërkuar ndihmë për të parandaluar dhunën që po ushtrohej në universitet”, deklaroi Lleshaj.

Teksa iu treguan disa pamje të regjistruara gjatë konfrontimeve policë-studentë në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, Lleshaj u shpreh se “nuk i komentoj videot, qofshin ato të bukura apo të shëmtuara. Unë nuk kam ardhur të bëj mësim ketu, nuk kam ardhur për të parë film këtu.”

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.