Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në rregulloren e Kuvendit

TIRANË, 6 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi në parim projektvendimin për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar.

Relatorja e projektligjit, Vasilika Hysi, u shpreh se dokumenti përmbledh një sërë propozimesh, që sjellin përmirësim të mënyrës së funksionimit të Kuvendit në drejtim të aspektit legjislativ, reflektimit të rekomandimeve të projektit IPA dhe rekomandimeve të GRECO-s dhe çështjeve që përforcojnë etikën parlamentare.

“Rregullorja është miratuar në vitin 2004. Ndërkohë që nga 2004-a e në vijimësi janë miratuar një sërë ligjesh dhe ka disa ndryshime kushtetuese të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në veprimtarinë e Parlamentit”, – argumentoi Hysi.

Nga ana e saj, opozita kundërshtoi me pretendimin se projektvendimi duhej shqyrtuar në organin e posaçëm, që sipas tyre, parashikon Rregullorja e Kuvendit, konkretisht në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Po ashtu, opozita e quajti deformim shqyrtimin në komisionin e Çështjeve Ligjore të këtij projektvendimi, duke deklaruar mungesën e kompetencës së këtij të fundit për shqyrtim.

Pas diskutimeve, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut hodhi në votim propozimin e opozitës, duke mos e miratuar atë.

Më tej, komisioni parlamentar, në përfundim të diskutimeve, e miratoi në parim projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.” /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.