RUSI – Rezulton i rremë alarmi për bombë, 50 000 persona të evakuuar

MOSKË, 5 shkurt /ATSH-AFP/ – Mbi 50 000 persona u evakuan sot nga ndërtesat publike, qendrat tregtare dhe shkollat në Moskë dhe në rajonin e saj pas një alarmi për bombë që për fat të mirë rezultoi i rremë. Paralajmërimi anonim ishte dërguar me email, raportuan agjencitë ruse.

Mbi 200 godina përfshirë shkolla, institucione të arsimit të lartë, qendra tregtare dhe biznesi, spitale dhe ndërtesa administrative ishin pjesë e paralajmërimit për bombë, sipas shërbimeve të emergjencës të cituara nga agjencia e lajmeve ‘’Ria Novosti’’.

Evakuime pati gjithashtu edhe në Shën Petersburg, qyteti i dytë më i madh i vendit, i cili ishte objekt i alarmeve të rreme për bombë në mënyrë të ngjashme disa ditë më parë.

Asnjë objekt i dyshimtë nuk u gjet në përfundim të kontrolleve që u pasuan edhe me evakuimin në masë të banorëve./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.