Mbrojtja nga stuhitë detare, në qendër të projektit rajonal I-STORMS

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ – Specialistë nga pesë vende të rajonit Adriatiko-Jonian po sjellin përvojat e tyre dhe po diskutojnë në Durrës mbi përmirësimin e procedurave të mbrojtjes civile, paralajmërimit të hershëm si dhe praktikat për mbrojtjen e kësaj zone nga stuhitë detare.
Takimi i tretë i pjesëmarrësve realizohet në kuadër të projektit “Strategji të Menaxhimit të Integruar të Stuhive Detare” I-STORMS dhe në kuadër të Programit Interreg V-B Adriatic-Ionian Programme (ADRION).
Qyteti bregdetar i Durrësit ka mirëpritur përfaqësuesit e tetë institucioneve nga fusha specifike, si mbrojtja civile, energjia, uji e mjedisi, hidrologjia, hidrometeorologjia, të cilët kanë ardhur nga Italia, Sllovenia, Greqia, Kroacia dhe Shqipëria.
Kryetari i këshillit të qarkut të Durrësit, Alfred Mullaraj, uroi mirëseardhjen dhe u ndal te rëndësia e këtij projekti për qytetet dhe zonat bregdetare.
Ai theksoi se Këshilli i Qarkut e vlerëson rëndësinë e bashkëpunimit në këtë fushë dhe nënvizoi edhe mbështetjen e shtatë institucioneve të tjera, pjesëmarrës në projekt si partnerë mbështetës. 
Sipas organizatorëve, shkëmbimi më i mirë i informacionit midis partnerëve dhe grupeve të interesit në zonën Adriatiko-Joniane, do të kontribuojë ndjeshëm në arritjen e objektivave të Projektit për një rajon më të qëndrueshëm dhe të sigurt, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ai do të shërbejë për shpërndarjen e njohurive, të dhënave e parashikimeve si dhe krijimin e strategjive të përbashkëta për t’u përgjigjur ndaj emergjencave të stuhive detare, përmbytjeve dhe stuhive nga baticat.
Përveç institucioneve të specializuara, në grupin e partnerëve të këtij projekti bëjnë pjesë edhe përfaqësues të zonave bregdetare të vendeve pjesëmarrëse, mjaft të interesuara për krijimin e një rrjeti të përbashkët informacioni./k.s/j.p/
 
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.