Ekipi i OKB njihet nga afër me kapacitetet e deklaruara të FARSH

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ – Një ekip i OKB ka zhvilluar një vizitë vlerësuese në Forcat e Armatosura të RSH, për kapacitetet e FARSH të cilat janë të deklaruara në sistemin e OKB, për t’i angazhuar dhe përdorur nëse do të kërkohet në misione nën drejtimin e OKB.

Me anë të një prezantimi në Shtabin e Përgjithshëm, ekipi vlerësues i përbërë nga personel i OKB-së dhe Komanda Europiane e Forcave Amerikane, u njohën me kapacitetet dhe mundësitë e FARSH për të kontribuar në misione të mundshme të drejtuara nga OKB.

Gjatë vizitës vlerësuese ekipi i OKB me anë të disa mësimeve treguese të zhvilluara nga efektivë të Batalionit Komando dhe Policisë Ushtarake si dhe EOD, iu bë e mundur të njihej nga afër me këto kapacitete të tjera, të cilat FARSH është e gatshme t’i angazhojë nëse do i kërkohet nga OKB, sikundër FARSH është në fazat e fundit përgatitore për të dërguar dy oficere në mision paqeruajtës ne Sudanin e Jugut, nën drejtimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në përfundim të vizitës vlerësuese, e cila është në vazhdën e komunikimeve dhe përpjekjeve të Forcave të Armatosura Shqiptare, për t’u angazhuar në misionet e drejtuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, u dakordësua për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen për t’i konkretizuar këto përpjekje.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.