Ambasadori Kuka takon zv.kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ – Në ambientet e Parlamentit çek, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Çekisë, Ilirjan Kuka zhvilloi një takim miqësor me zv.kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek, Vojtěch Pikal dhe me Mikuláš Peksa, deputet dhe zv.kryetar i Partisë se Piratëve i ngarkuar për marrëdhëniet ndërkombëtare, me të cilët diskutoi për mbështetjen çeke për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pikal dhe Peksa që janë përfaqësues të Partisë së Piratëve, e cila ka marrë mbështetje të gjerë popullore në zgjedhjet e fundit vendore, u shpreh se partia e tij është mbështetëse e rrugës europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti për Shqipërinë.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe mbi mundësinë e rritjes së shkëmbimeve në nivel parlamentar në mes dy vendeve. Në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-çeke u vlerësuan zhvillimet shumë pozitive që janë konstatuar në fushën e turizmit dhe të shkëmbimeve tregtare. Ambasadori Kuka i bëri një ekspoze të Ligjit për Investitorët Strategjikë dhe mundësive që ofron Shqipëria për investimet e huaja, sidomos në fushën e turizmit, bujqësisë dhe industrisë përpunuese. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.