Schütz: Qeveria gjermane mbështet zbatimin e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 4 shkurt/ATSH-A.Fortuzi/ – Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi priti sot në takim ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, me të cilën bisedoi rreth vazhdimit të mbështetjes dhe bashkëpunimit të qeverisë gjermane për institucionet e reja të drejtësisë në Shqipërinë, për ecurinë e procesit të ngritjes së strukturës të KLP-së dhe situatën e aplikimeve për t’u bërë pjesë e SPAK, e cila ka si afat për dorëzimit të dokumentacionit, datën 7 shkurt 2019.

Nga ana e saj, ambasadorja Schütz vlerësoi punën e deritanishme e KLP dhe nënvizoi edhe njëherë mbështetjen e qeverisë gjermane për zbatimin e Reformës në Drejtësi në vendin tonë.

Schütz u interesua për objektivat e KLP-së dhe për hapat të nevojshme për arritjen e tyre. Interes të veçantë ka ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, si dy teste të rëndësishme për organet e reja të drejtësisë.

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi siguroi ambasadoren Schütz për përkushtimin maksimal të strukturës që ai drejton në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe administrative brenda afateve kushtetuese. Transparenca dhe profesionalizmi i KLP-së do të jenë themeli i veprimtarisë së këtij këshilli, i cili premton të rikthejë besimin e shoqërisë tek drejtësia.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.