Mbi 800 vende të lira në administratë për punësimin e studentëve

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ – Të gjitha vendet e lira të punës në administratën publike janë për punësimin e studentëve me mesatare 9 dhe 10.

Kështu u shpreh sot Kryeministri i vendit Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi në Tiranë, me studentë nga Fakulteti i Mjekësisë.

“Janë 800 vende pune të shpalluara në platformën “punë e mbarë” ku deri tani kanë aplikuar 400 studentë”, – tha Kryeministri.

Ndërsa shpjegoi se për sa i përket masterit, “masteri nuk është arsim i detyrueshëm. Masteri nuk është detyrim i shoqërisë për tu paguar. Masteri është investim që ti bën për veten tënde dhe për të cilin secili duhet t’i dalë për zot vetes së vet”.

Kryeministri theksoi se, fjalët e përhapura se pa master nuk futesh dot në punë, është e pavërtetë. “Ne kemi 800 vende pune sot, të shpallura tek platforma “punë e mbarë” për studentët me mesatare note 9 dhe 10, 500 janë me bachelor”.

“Në Departamentin e Administratës Publike, bëhen konkurse dhe ka plot që nëse ke nivelin bachelor, futesh në punë, por deri në një nivel të caktuar. Por nëse do të shkosh në një nivel më të lartë, drejtor fjala vjen, duhet të bësh master”, – tha Rama. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.