Tatim fitimi në agroturizëm më i ulëti në rajon

TIRANË, 1 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Subjektet në agroturizëm trajtohen në mënyrë speciale nga shteti me të njëjtin regjim si hotelet me 5 yje.

Kështu deklaroi sot nga Roshniku, në Berat, Kryeministri Edi Rama duke kujtuar edhe njëherë masat fiskale të qeverisë në mbështetje të agroturizmit.

Sipas tij, “TVSH-ja për këto subjekte është 6% dhe Tatim Fitimi është 5%, më i ulëti në rajon”. Ndërkohë, tha Rama, “ka mbështetje direkte financiare dhe një perspektivë të padiskutueshme për këdo që investon sot në agroturizëm dhe garanton ekonomi të qëndrueshme familjare dhe nëse projekti zhvillohet krijon edhe punësim”.

“Ne presim të shikojmë të tjerë që të përfshihen në projektet për zhvillimin e agroturizmit në këtë zonë. Mjafton të rrjetëzohemi dhe në harkun e disa viteve nuk do të jemi vendi ku ka vetëm turizëm tradicional në bregdet apo qytet muze, por do të tërheqim edhe një masë të madhe njerëzish që vijnë për mikpritjen, kuzhinën tradicionale, trashëgiminë kulturore dhe natyrën”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.