Pacolli në takimin joformal të organizuar nga Rumania

PRISHTINË, 1 shkurt /ATSH/ Me ftesë të homologut të tij nga Rumania, Teodor Meleșcanu, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, po qëndron në Bukuresht, për të marrë pjesë në takimin joformal, të organizuar nga Rumania, si kryesuese e Presidencës së radhës e Këshillit të BE-së, për vendet anëtare të BE-së, Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Europian, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Takimi i tillë, respektivisht dreka joformale, që do të mbahet sot me të gjithë pjesëmarrësit e lartpërmendur, shihet si një mundësi për shkëmbim joformal të pikëpamjeve mbi të ardhmen e rajonit, ndërsa qëllimi i diskutimeve është, që të forcohet dialogu dhe bashkëpunimi rajonal në pikëpamje të sfidave globale.

Në margjina të drekës joformale, kryediplomati kosovar, Pacolli, do t’i adresohet të gjithë të pranishmëve me një fjalim, ndërsa më pas pritet të zhvillojë takime dypalëshe me homologun çek, Tomas Petríqek, atë slloven, Miro Cerar, sllovak, Miroslav Lajcak, rumun, Teodor Meleșcanu dhe polak, Jacek Czaputowicz. /KosovaPress/ /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.