Zbulimi i hershëm i kancerit të qafës së mitrës, testimi falas në qendrat shëndetësore

TIRANË, 31 janar /ATSH-M.Zonja/ Kanceri i qafës së mitrës është sëmundje që prek çdo vit 100 deri në 130 gra në Shqipëri, me një vdekshmëri të lartë rreth 40%. Por, nëse sëmundja do të kapej në fazat e hershme të saj, shumë prej këtyre grave do të jetonin. Sëmundja e rëndë prek gratë e moshave 40-49 vjeç, një fashë moshore ku gratë janë në pikun e tyre të potencialit ekonomik dhe social.

Tashmë, me vendimin e qeverisë shqiptare për të miratuar programin kombëtar të depistimit të kancerit të qafës së mitrës, do të synohet diagnostikimi në kohë i kësaj sëmundjeje, në mënyrë që të ulet shkalla e vdekshmërisë dhe të shmangen një sërë problemesh sociale dhe ekonomike që sjell kjo sëmundje në familjet e grave që preken prej saj.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, mjekja epidimiologe, Kozeta Filipi e ftuar në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare shpjegoi detajet e programit kombëtar të depistimit falas të kancerit të qafës së mitrës.

Programi ofron paketë shërbimi falas shëndetësor për gratë e prekura nga kanceri i qafës së mitrës. Ai synon që nga depistimi i hershëm të arrihet zbulimi i hershëm i kancerit, përmes ofrimit të testit HPV dhe ndjekjen e sëmundjes në sistemin shëndetësor nëpërmjet rekomandimeve nga mjeku i familjes, mjeku specialist e po ashtu edhe trajtimin e kësaj sëmundjeje në shërbimin tercial që ofrohet në Shqipëri. Vitin e parë do të ofrohet testimi falas për gratë e moshës 45 dhe 49 vjeç, dhe vitin e dytë për gratë e ditëlindjeve 1971 dhe 1976. Filipi tha se do të synohet mundësia e shtrirjes sa më të madhe në popullatë.

Ministria e Shëndetësisë që drejton programin do të punojë përmes drejtorive të shëndetit publik në rrethe, e me mjekët e familjes së çdo qendre shëndetësore. Këta të fundit kanë rol shumë të madh në program, pasi janë ata që do të ftojnë gratë të drejtohen për informacion dhe për testimin falas. “Dhe do të jenë ata që do të informojnë gratë rreth rezultateve të testit dhe për ndjekjen e mëtejshme në sistemin shëndetësor. Pra, e gjithë kjo paketë shërbimesh është falas dhe ofrohet nga qeveria shqipare që nga testimi, trajtimi dhe ndjekja e pacientes në shërbimin shëndetësor shtetëror”, përfundoi Filipi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.